13.05.2025. » 20:28


Përvoja ime në kampet rinore - Një përjetim i paharrueshëm që dua ta përjetoj sërish



Gjatë periudhës shkurt – maj 2025, pata fatin të jem pjesë e një serie kampesh rinore që kishin për qëllim ndërtimin e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Kosovë. Në këto kampe morën pjesë rreth 40 të rinj nga mosha 13 deri në 18 vjeç, përfaqësues të komuniteteve shqiptare, serbe, boshnjake, goranë dhe të tjerë. Që nga momenti i parë, ndjeva se do të ishte një përvojë ndryshe – dhe ashtu ishte.

pervoja-ime-ne-kampet-rinore-shkurt-maj-2025-nje-perjetim-i-paharrueshem-qe-dua-ta-perjetoj-serish

Kampi i parë u zhvillua në Vermicë të Prizrenit. Ambienti ishte i qetë dhe mikpritës, dhe qëndrimi zgjati tri ditë. Organizatorët na pritën shumë ngrohtë dhe na prezantuan programin në mënyrë të qartë dhe profesionale. Fillimisht, u njohëm me njëri-tjetrin përmes aktiviteteve të thjeshta prezantuese, ndërsa më pas nisëm punëtoritë që kishin për qëllim nxitjen e komunikimit ndërkulturor dhe njohjen e bazave të gjuhëve të ndryshme, kryesisht shqip dhe serbisht. Gjithashtu, vizituam qytetin e Prizrenit dhe monumentet e tij kulturore.

Kampi i dytë u mbajt pas një muaji në Graçanicë. Gjatë këtyre tri ditëve, përveç që u njohëm më mirë me njëri-tjetrin, zhvilluam edhe më shumë aktivitete interaktive si lojëra, kuize gjuhësore dhe vizita kulturore. Më bëri shumë përshtypje mënyra kreative se si na u prezantuan elementë të kulturës dhe historisë, përfshirë edhe mjetet dhe veshjet tradicionale.

Dy javë më pas, kampi i tretë u zhvillua në Rugovë të Pejës. Aty patëm mundësinë të përjetojmë një atmosferë ndryshe, të rrethuar nga natyra dhe peizazhet malore. Përveç aktiviteteve të zakonshme, u thelluam edhe më shumë në njohjen e ndërsjellë dhe në ndërtimin e miqësive të reja. Kemi mësuar, kemi luajtur, kemi kërcyer dhe kemi kaluar çaste shumë të këndshme që do t’i mbaj mend gjatë.

Kampi i katërt dhe i fundit u mbajt në Prevallë, në afërsi të Prizrenit. Ky udhëtim ishte përmbyllja ideale e gjithë përvojës. Vizituam bjeshkët e mrekullueshme të Prevallës, eksploruam natyrën së bashku dhe bëmë shumë fotografi. Në fund, u organizua edhe një test për të vlerësuar çka kemi mësuar gjatë kampeve, ndërsa secili prej nesh pati rastin të mbajë një fjalim përshëndetës dhe falënderues.

Ky program ishte organizuar në mënyrë të shkëlqyer – çdo detaj ishte menduar me kujdes dhe gjithçka funksionoi në harmoni. Për mua personalisht, kjo përvojë ishte shumë më tepër se një seri trajnimesh. Ishte një udhëtim që më mësoi për tolerancën, bashkëjetesën, komunikimin dhe rëndësinë e hapjes ndaj të tjerëve. Kam krijuar miqësi të reja, kam përjetuar emocione të veçanta dhe ndjehem shumë i pasuruar si person. Pa dyshim, do të doja të jem pjesë e kampeve të tilla edhe në të ardhmen. Ishte një eksperiencë e paharrueshme që do ta mbaj mend gjithmonë.

Syla Kadriu