26.04.2025. » 08:24
Çdo njohje e re është një histori më vete. Sa e rëndësishme është kjo histori, e kam mësuar pikërisht gjatë qëndrimit në kampin "Youth Camp". Shumë njerëz të rinj, vende, njohuri dhe shoqëri të reja.
Sot, kur shpesh përballemi me ndarje të ndryshme, në një botë stereotipash dhe barrierash, as ne vetë nuk ishim të vetëdijshëm se sa të rëndësishme janë ngjarje të tilla. Njohja me kultura, gjuhë dhe zakone të ndryshme përmes lojërave dhe ligjëratave interesante më ndihmoi të kuptoj se pavarësisht dallimeve, lidhjet ndërnjerëzore mund të forcohen.
Mësimi përmes lojës dhe argëtimit e bëri aktivitetet jashtëshkollore cilësore dhe ne ishim shumë të kënaqur. Sa i përket përmbajtjes, kampi ishte shumë i larmishëm, dhe pikërisht kjo është ajo që na pëlqeu më shumë, sepse asnjëherë nuk ishte monotone dhe gjithmonë ndodhte diçka e re. Lojërat, prezantimet, ligjëratat dhe shkëmbimi i mendimeve janë vetëm disa nga aktivitetet përmes të cilave fitojmë njohuri të reja.
Në përgjithësi, ishim të ndarë në grupe ndër-etnike, në mënyrë që të rrëzonim barrierat në kohë, të pranonim dallimet dhe të ndihmonim njëri-tjetrin në pjesën edukative. Pjesa ime e preferuar ishte pikërisht ajo kur dikush nga ne kishte dilema gjuhësore dhe ne ndihmonim njëri-tjetrin. Edhe kur nuk e njihnim gjuhën e njëri-tjetrit, gjithmonë gjenim një mënyrë për të kuptuar dhe komunikuar.
Një përshtypje shumë të mirë lënë edhe vendet që i vizitojmë, si Manastiri i Graçanicës apo Prizreni. Atëherë ecim së bashku si komunitet dhe shkëmbejmë informacione për kulturat, objektet fetare dhe trashëgiminë kulturore. Një përvojë interesante ishte gjithashtu gjuajtja me hark dhe shigjetë në objektiv. Çdokush pati rastin të provojë aftësitë e tij të saktësisë.
Kampi i këtij lloji na ndihmon shumë në afrimin mes nesh dhe na ofron jo vetëm karakter argëtues, por edhe përmbajtje edukative. Dhe përmes argëtimit mësohet më së miri.
Mësojmë mirëkuptimin, solidaritetin dhe vlerat e vërteta dalin në pah. Vetëm atëherë e kuptojmë sa shumë mundemi. Zbulojmë talentet dhe aftësitë tona përmes aktiviteteve që nuk kemi pasur mundësi t’i provojmë më parë.
Dëshiroj të vazhdoj të marr pjesë në kampe të tilla me qëllim që të mësoj gjuhën shqipe, sepse besoj që është shumë e rëndësishme për komunikim, të njoh edhe më shumë njerëz të rinj dhe të argëtohem.
Pjesëmarrja në kampet “Youth Camp” më ndihmoi që të përqafoj më fuqishëm dallimet dhe t’i ndihmoj të tjerët të krijojnë ura bashkëpunimi midis grupeve ndër-etnike. Dhe gjithashtu të kuptoj se mësimi nuk duhet të jetë i mërzitshëm dhe monoton. Përkundrazi, me njerëzit e duhur dhe përpjekje, mund të jetë një përvojë shumë interesante dhe pozitive.
Anastasija Slavić
Lajmet e fundit