20.06.2023. » 14:55 | ACDC
Prishtinë, 16 qershor 2023 – Duke marr shkas nga situata e krijuar kohëve të fundit në komunat e veriut të Kosovës, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj dhe zëvendësi i tij, z. Niman Hajdari, u takuan me përfaqësues të shoqërisë civile ku u diskutua për gjendjen e të drejtave të njeriut dhe situatën e tensionuar atje.
Prishtinë, 16 qershor 2023 – Duke marr shkas nga situata e krijuar kohëve të fundit në komunat e veriut të Kosovës, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj dhe zëvendësi i tij, z. Niman Hajdari, u takuan me përfaqësues të shoqërisë civile ku u diskutua për gjendjen e të drejtave të njeriut dhe situatën e tensionuar atje.
Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile që punojnë në komunat veriore, informuan Avokatin e Popullit për shqetësimet e tyre që lidhen me sigurinë e qytetarëve pas situatës së krijuar kohëve të fundit, duke theksuar se qytetarët po jetojnë me frikë dhe ankth.
Ata thanë se veprimet e policisë shpesh herë tejkalojnë autorizimet e tyre ligjore dhe janë së paku pesë raste të raportuara nga qytetarët që pretendojnë se ndaj tyre është ushtruar dhunë nga policia. Sipas tyre, shqetësuese mbetet edhe prezenca e qytetarëve që janë të armatosur dhe kjo po e tensionon situatën edhe më shumë.
Ata shtuan se ende mbetet shqetësuese çështja e shpronësimit të pronave nga Qeveria pasi që edhe më tej nuk është bërë e qartë qëllimi i shpronësimit dhe nuk janë respektuar procedurat ligjore për shpronësim.
Ata thanë po ashtu se gjuha që po përdorët nga disa zyrtarë të lartë të shtetit është gjuhë e urrejtjes dhe nuk kontribuon në shtensionimin e situatës, por përkundrazi edhe më tej i polarizon raportet mes komuniteteve. Ata shtuan se publikimi i listave me emra të personave që konsiderohen si të inkriminuar nga ana e qeverisë është e papranueshme sepse po cenohet parimi i prezumimit të pafajësisë dhe siguria juridike të qytetarëve.
Avokati i Popullit duke iu drejtuar të pranishmëve theksoi se e ka përcjell me shqetësim situatën e krijuar në komunat e veriut dhe se është e domosdoshme vendosja e komunikimit në mes institucioneve dhe qytetarëve me qëllim të rikthimit të qetësisë, sundimit të ligjit dhe rregullit në këto komuna.
Ai shtoi se në çdo situatë të krijuar është detyrë dhe përgjegjësi e autoriteteve shtetërore të sigurisë dhe organeve tjera të garantojnë siguri dhe respektimin e plotë të të drejtave të njeriut, të çdo qytetari në Republikën e Kosovës, në pajtim me të drejtat e garantuara me kushtetutë dhe ligj.
Të gjithë të pranishmit u pajtuan se takimi si ky në veri kanë një rendësi të veçantë dhe kontribuojnë në komunikimin e mirëfilltë në mes të qytetarëve dhe Avokatit të Popullit, dhe se takimet e kësaj natyre do të mbahen edhe në të ardhmen.
Lajmet e fundit