04.09.2025. » 16:07 | ACDC
Mitrovicë e Veriut, 4 shtator 2025 – Organizatat joqeveritare ACDC dhe REC organizuan tryezën e rrumbullakët “Lidhemi sot, formësojmë të nesërmen” në EU House në Mitrovicën e Veriut. Ngjarja është pjesë e projektit me të njëjtin emër, i cili synon nxitjen e bashkëpunimit dhe pajtimit ndërmjet të rinjve nga veriu dhe jugu i Mitrovicës.
Tryeza e rrumbullakët mblodhi të rinj, përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucioneve, me synim forcimin e besimit ndëretnik dhe kohezionit shoqëror. U diskutua për sfidat e punësimit të të rinjve, rolin e zyrave të punësimit dhe mundësitë për trajnime profesionale në Kosovë.
Panelistët ishin: Besmir Salihu, shef i Zyrës së Punësimit në Mitrovicën e Jugut, Sallah Bektezhi, udhëheqës i Zyrës së Punësimit në Mitrovicën e Veriut, Ljulzim Hakaj nga OJQ REC, Stefan Kalaba nga OJQ ACDC, si dhe studentet Nikolina Jovanović dhe Valentina Istrefi. Diskutimin e moderonte Ines Aljović Mihajlović.
Drejtori i Zyrës së Punësimit në Mitrovicën e Veriut, Sallah Bektezhi, theksoi se që nga viti 2019 kjo zyrë është një hallkë e rëndësishme në tregun e punës në komunat veriore, duke ndërmjetësuar ndërmjet punëdhënësve dhe të papunëve. Ai veçoi masën qeveritare 1.8, nga e cila deri tani kanë përfituar rreth 260 të rinj nga veriu i Kosovës, shumica e të cilëve janë ende të punësuar.
Kolegu i tij nga Mitrovica e Jugut, Besmir Salihu, shtoi se bashkëpunimi i mirë ndërmjet zyrave sjell rezultate konkrete dhe u ofron të rinjve mundësi reale për punësim dhe zhvillim të karrierës. Ai theksoi se është me rëndësi që të rinjtë të shfrytëzojnë shërbimet e ofruara, pasi përmes bashkëpunimit me punëdhënësit dhe programeve të ndryshme të trajnimit, ata mund të fitojnë shanse reale në tregun e punës.
Përfundimi i përgjithshëm i diskutimit ishte se është e nevojshme forcimi i vetëdijes dhe besimit në sistemin e punësimit, në mënyrë që të rinjve t’u hapen mundësi për punësim dhe kështu të kontribuohet në besimin ndëretnik dhe kohezionin afatgjatë shoqëror.
Ky projekt financohet me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë.
Lajmet e fundit