21.12.2024. » 16:32
“Edhe sot në sallë kur e shoh gardianin më rrëqethet trupi për tmerret që i kemi përjetu ato ditë”.
Kështu e nisi rrëfimin e tij për masakrën në Burgun e Dubravës i mbijetuari i kësaj masakre, dëshmitari Nait Hasani, në seancën e 04.11.2024 të gjykimit të Gavrilo Milosavleviqit, i akuzuar për këtë masakër ndaj të burgosurve shqiptarë të Kosovës më 1999.
I pandehuri Gavrilo Milosavleviq po akuzohet se në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.
Dëshmitari Nait Hasani deklaroi nga data 29.04.1999 deri më 24.05.1999 kishte qenë në Burgun e Dubravës në pavijonin B.
Ai tha se më 26.04.1999 ishin transferuar nga Burgu i Mitrovicës së Sremit për në Burgun Nishit dhe kishin përjetuar tortura.
“Më 26 prill na kanë transferu nga Burgu i Mitrovicës së Sremit për në Burgun e Nishit. Nga gardianët e burgut kemi përjetu tortura të çmendura, nga elektroshoku, me dru, stupca të drunit, të hekurit, “palica” të gjata e të shkurta”- deklaroi dëshmitari Nait Hasani.
Dëshmitari Nait Hasani deklaroi se edhe gjatë dërgimit të tyre për në Burgun e Dubravës ata kishin pasur maltretime dhe tortura në autobus.
Dëshmitari deklaroi se ndërmjet datave 5 dhe 10 maj 1999 e kishin marrë në një dhomë dhe e kishin torturuar.
“Me datë 5 deri me 10 maj brenda këtyre datave saktësisht më kanë marrë mua personalisht 5 gardianë në dhomën e tyre ku rri psikologu dhe pedagogu, sepse atëherë nuk kishte psikolog dhe pedagog, në atë dhomë kanë fillu torturat në të gjitha format”-deklaroi dëshmitari Nait Hasani.
Tutje dëshmitari Hasani deklaroi se më 15 maj 1999 gardianët i kishin kërkuar të burgosurve të këndonin këngë serbe, dhe pasi ata nuk kanë kënduar kishin filluar torturat.
Dëshmitari Nait Hasani deklaroi se më 19 maj rreth orës 13:15 ishte bombarduar nga aeroplanët e NATO-s pavijoni C.
Tutje, dëshmitari Hasani deklaroi se më 21 maj 1999 ishte thirrur me megafon në karakollë që të mblidheshin të fusha e sportit me arsyen e numërimit.
Tutje dëshmitari Nait Hasani deklaroi se pasi ishin afruar afër karakollit kishin filluar gjuajtjet me mitraloz, bomba, “Zola” dhe mjete të tjera.
Dëshmitari përmendi edhe emrin Branko Komadina dhe se i njëjti kishte qenë mbikëqyrës i pavijonit B.
Paraprakisht në seancën e datës 04.11.2024 i pari që dha dëshminë para trupit gjykues ishte Ukë Thaqi.
Ai dha versionin e tij para trupit gjykues lidhur me këto ngjarje.
Dëshmitari Ukë Thaqi deklaroi se më 1998 ishte arrestuar dhe kishte qenë në Burgun e Prizrenit dhe më 30 prill 1999 në një autobus në të cilin kishin qenë 80 persona ishin transferuar në Burgun e Dubravës.
Dëshmitari Ukë Thaqi tutje deklaroi se kur kishin mbërri në Burg të Dubravës, duke zbritur nga autobusi kishin pasur maltretime nga gardianët.
“Autobusi ka zbarku në para-oborr të kompleksit të Burgut të Dubravës ku aty është vend për bujqësi… Kanë qenë dy autobusë me regjistrim të Nishit duke zbarkuar të burgosur tjerë… Dritaret kanë qenë të hapura edhe ishte një moment i tmerrshëm kur i shihnim të burgosurit kah zbarkoheshin, asnjë i burgosur nuk mund të zbriste në këmbë të veta, nga sulmet e gardianëve me shkopinj, aty për aty maltretoheshin duke zbritë prej derës së autobusit”- tha dëshmitari Ukë Thaqi.
Thaqi tha për të akuzuarin Gavrilo Milosavleviq se kishte dëgjuar mbikëqyrësin duke e thirrur të akuzuarin me emrin “Garo”.
Në pyetjen e prokurorit Ilir Morina për bombardimet e NATO-s, dëshmitari tha se atë ditë kishte qenë me Sh.H., në dhomë dhe i njëjti e kishte thirrur se “i kishte rënë NATO”.
Tutje, dëshmitari deklaroi se kur kishin dashur të dilnin, grilat kishin qenë të mbyllura dhe gardianët kishin ikur.
“Jemi çu me dalë te grilat po ato ishin të mbyllura pastaj kam dëgju që iu paska dhënë leje një gardian i quajtur “Manc” që “çoni çeljani dyert të burgosurit ordinerë”, sepse gardianët kanë ikur nga aty e ne kemi mbetur të mbyllur”- tha dëshmitari Ukë Thaqi
Tutje, dëshmitari deklaroi se pasi kishin dalë ata nga grilat ata u kishin ndihmuar të burgosurve të tjerë të dalin jashtë.
Dëshmitari deklaroi se nga bombardimet e NATO-s të lënduar kishin mbetur 16 persona.
Dëshmitari Thaqi rrëfeu edhe për datën e 22 majit 1999, kur ishin thirrur që të shkonin te fusha e sportit
“Më 22 maj në mëngjes na thirrin me shku te fusha e sportit, na thirrën gardianët, edhe kemi dalë aty jemi bërë 4 radhë… E kam pasë afër Gani Iballin, mësues në Bllacë, edhe ai po mendon se po vijnë me autobusë me na dërgu në ndonjë vend më të sigurt dhe më thotë: “Ama një valixhe thatë, t’i shti unë rrobat e mia”. Në momentin kur merreshim ne me këto valixhe kanë krisin ‘Trombloni’, “Zola”, gjuajtje në masë”- deklaroi dëshmitari Ukë Thaqi.
Dëshmitari Thaqi tha se pas këtyre të krisurave ai kishte rënë në tokë.
“Kur kanë krisë ato unë kam ra në tokë dhe njerëzit kanë rënë mbi mua”- shtoi tutje dëshmitari Thaqi.
Dëshmitari tutje deklaroi se kishte parë njerëz me trup të djegur prej “Zola”-ve” dhe “Tromblonëve”, ndërsa numri i të vrarëve ishte 117 persona.
Dëshmitari Ukë Thaqi gjatë dëshmisë së tij deklaroi se për këtë çështje për Burgun e Dubravës ka botuar dy libra, botimin e parë në vitin 2007 ndërsa botimin e dytë në vitin 2011.
Dëshmitari Ukë Thaqi librin të titulluar me emrin “Masakra në Burgun e Dubravës (Skenarët e masakrës)” ia dorëzoi Gjykatës dhe mbrojtësit të të akuzuarit, Dejan Vasiq.
Tutje, dëshmitari Ukë Thaqi u mor në pyetje vetëm nga ana e prokurorit, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Gavrilo Milosavleviq, avokati Dejan Vasiq, deklaroi se nuk mund ta marrë dëshmitarin në pyetje pasi kërkoi nga Prokuroria që t’i merrte deklaratat e dhëna nga dëshmitari Ukë Thaqi në UNMIK dhe EULEX dhe tha se këto deklarata duhet t’i jepen mbrojtjes si pjesë e praktikave të gjykimit të drejtë.
Tutje, Vasiq tha se pa qasje në këto deklarata të mëparshme, ai nuk mund ta marrë në pyetje në mënyrë efektive dëshmitarin Ukë Thaqi.
Ndërsa lidhur me këtë trupi gjykues mori aktvendim se do të mundohet t’i sigurojë këto dëshmi nëse i njëjti i ka dhënë.
Pasi që përfundoi orari i punës seanca u ndërpre.
Kjo çështje penale po gjykohet nga Vesel Ismajli – kryetar, anëtarët Arben Hoti dhe Kujtim Krasniqi.
Aktakuza ndaj të pandehurit Gavrilo Milosavleviq ishte ngritur më 29.11.2023, ndërsa shqyrtimi fillestar ishte mbajtur më 07.12.2023.
Gjatë shqyrtimit fillestar i akuzuari Milosavleviq pas leximit të aktakuzës nga Prokuroria kishte deklaruar se e ka kuptuar veprën për të cilën po akuzohet mirëpo kishte deklaruar se nuk ndihet fajtor.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, i pandehuri Gavrilo Milosavleviq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.
Sipas aktakuzës, Gavrilo Milosavleviq në bashkëkryerje me njësitë policore serbe kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë, me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut, i njohur si fusha e sportit”, të dalin 1 mijë të burgosur, me arsyetimin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Tutje, sipas aktakuzës, menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve njësitë policore serbe i kishin gjuajtur me të gjitha llojet e armëve, si “Kallashnikov”, mitraloz, mortajë dhe armë të tjera, kurse nga mbrapa murit të burgut me granata dore.
Nga ky operacion i vrasjes, i cili kishte filluar nga 22.05.1999 dhe kishte zgjatur deri me 24.05.1999, si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur dhe 108 të burgosur kishin mbetur të plagosur.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarakë serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë në pavijonet “B” dhe “C” (pavijonet e Burgut të Dubravës), duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të burgosurit civilë shqiptarë, duke i ofenduar dhe maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, pa ndonjë arsye, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.
Për këto veprime, i akuzuari Gavrilo Milosavleviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Lajmet e fundit