18.09.2024. » 11:03
“Për atë që më vihet në barrë nuk është e vërtetë, nuk ndihem fajtor, nuk kam marrë pjesë në këto ngjarje”- kështu u deklarua para trupit gjykues i akuzuari Shaqir Lutvija, në seancën e shqyrtimit fillestar të datës 17.09.2024 në Gjykatën e Prishtinës.
I njëjti nga Prokuroria Speciale po akuzohet se gjatë periudhës 1998-1999 në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje ka aplikuar masa represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.
Fillimisht aktakuza u lexua nga prokurorja speciale Ajshe Ferati, ndërsa pas leximit të aktakuzës i pandehuri Shaqir Lutvija lidhur me fajësinë tha se nuk ndjehet fajtor për veprat që i vihen në barrë.
Lidhur me pyetjen e gjyqtarit Kujtim Krasniqi drejtuar mbrojtjes se a i kanë marrë të gjitha shkresat e lëndës, mbrojtësja e të akuzuarit Shaqir Lutvija, avokatja Jovana Filipoviq deklaroi se i ka marrë të gjitha shkresat e lëndës, përveç një CD-je, për të cilën thuhet se nuk është e rëndësishme për veprën penale që i akuzuari akuzohet dhe nuk është pengesë për seancën e shqyrtimit fillestar.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Sipas aktakuzës së datës 04.09.2024, i pandehuri Shaqir Lutvija akuzohet se në periudhën kohore 1998-1999, në Prizren gjatë kohës së luftës në Kosovës, në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka aplikuar masa represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.
Tutje, sipas aktakuzës fillimisht forcat policore dhe ushtarake serbe kanë ndërmarrë një fushatë të arrestimit të popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë të gjinisë mashkullore, në mesin e të cilëve kanë qenë R. J., M. K., E. G., S. E., V. V., Q. K., U. K., H. G., S. G., H. SH. dhe A. Z., të cilët pas arrestimit i dërgojnë në Stacionin Policor në Prizren.
Sipas aktakuzës i pandehuri Shaqir Lutvija së bashku me të pandehurit të tjerë, në cilësinë e inspektorit i marrin në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me grushte dhe shqelma, me mjete të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor, ashtu që përdorë mjete të rrymës elektrike të cilat ua vendosin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç’rast, si pasojë e kësaj R. J., kishte vdekur, kurse M. K., E. G., S. E., V. V., Q. K., U. K., H. G., S. G., H. SH., dhe A. Z., pësuan lëndime trupore.
Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale ‘Krim i luftës kundër popullsisë civile’, të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë (tutje “LP i RSFJ-së”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.
Lajmet e fundit