24.09.2024. » 14:42


#7 Dëgjohen 3 dëshmitarë, në gjykimin kundër të akuzuarit Çedomir Aksiq-it



“Ma kanë prishë jetën mua edhe fëmijëve të mi, s’ja fali kurrë se na kanë shkaktu shumë trauma, kam pasur ankth shumë, gjumin si gjumë sun e kom bo kurrë ”- kështu u deklarua dëshmitarja Shukrije Hysenaj në gjykimin kundër të akuzuarit për krime lufte Çedomir Aksiq (Çedo) në seancën e datës 18.09.2024 në Gjykatën e Prishtinës.

7-degjohen-3-deshmitare-ne-gjykimin-kunder-te-akuzuarit-cedomir-aksiq-it

Çedomir Aksiq akuzohet se në periudhën janar-maj 1999, në Komunën e Shtimes, ka kryer vepra të rënda të shkaktuara ndaj popullsisë civile shqiptare. Këto vepra përfshijnë vrasje, vuajtje, dëmtime të mëdha fizike, cenim të integritetit të trupit dhe shëndetit, shpërndarje të frikësimit dhe urdhërime për zhvendosjen e popullsisë civile

Dëshmitarja deklaroi se forcat serbe e kishin marrë bashkëshortin e saj,  dhe pastaj pasi e kishin marrë të njejtin, ata ishin kthyer në mal ku kishte qenë ajo, dhe e kishin detyruar ndjerin H., bashkëshortin e saj që të thirrë emrin e saj se të njejtit nuk i kishin besuar se ai kishte qenë me ta.

“Më ka thirrë oj Shukri, une isha shumë keq dhe menojsha a me dal a a mos me dal, edhe tani e kam marrë vendimin me dal, qaq keq qe jam kanë , unë djalin nuk kam mujt me majt ndorë edhe i’u pata thanë me ardh me ndihmu me marr djalin”- tha dëshmitarja Shukrije Hysenaj.

Tutje, ajo rrëfeu se kur kishte dalur i kishte menduar minutat e fundit të jetës.

“Kur kam dalë aty, qaq tutë që kam pasë, i kam mendu mendu minutat e fundit qysh kanë me më  mbyt”- shtoi tutje dëshmitarja.

Në pyetjen e prokurores Habibe Salihu se kur dëshmitarja e kishte mësuar vdekjen e bashkëshortit.

E njejta lidhur me këtë tha se e kishte mësuar nga fqinjët e saj.

“E kom kuptu ditën e nesërme me datë 14, kojshia kur kanë arritë me i kshyr shtëpitë qysh kan met e kan pa edhe mu në mbrëmje më kanë tregu”- tha dëshmitarja Shukrije Hysenaj.

Në seancë u dëgjuan edhe dëshmitarët Ruzhdi Jashari dhe Agim Hysenaj.

Ruzhdi Jashari deklaroi se është i sigurtë se Çedomir Aksiq është përgjegjës për djegjen e shtëpisë së tij.

“Përgjegjësi është 100% Çedomir Aksiq në aspektin lokal, ndërsa sa i përket rrethanave të tjera aspekti i përgjegjësisë është aspekt i përgjëgjësisë  shtetërore të politikës të shtetit serb”- tha dëshmitari Ruzhdi Jashari.

I njejti deklaroi se forcat serbe njëherë kishin hyrë në shtëpitë e tij i kishin plaçkitur i’a kishin djegur shtepinë dhe i dhe kishin ardhur për të kërkuar atë pasi që ky  i fundit po jepte informacione nga shtëpia e tij në luftë

Tutje, ai deklaroi se familja e tij kishin bërë edhe një kallxim penal ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq.

“Po është e vërtetë kallximin penal e kam drejtu te Prokuroia Speciale në Prishtinë atëherë UNMIKU”- dekalroi dëshmitari Ruzhdi Jashari.

Dëshmitari Agim Hysenaj deklaroi se e ka njohur të akuzuarin Çedomir Aksiq, dhe se të njejtin e kishte parë në mal.

“Na të gjithë kemi qenë si në qosh të  malit dhe kemi ndëgju kur kanë ardh serbët afër edhe kena ikë, edhe H. na tha po shkoj pe kshyri se kush janë duke menduar se është UQK-ja dhe shkoi për me i kshyrë edhe aty drejtpërdrejt e kan kap H., e kanë mbështetë për stani”- tha dëshmitari Hysenaj

“Ceda ka qenë,se e kam parë me sytë e mi, edhë  e kane vetë H. me kon je?,”-shtoi tutje dëshmitari Agim Hysenaj.

Në pyetjen e mbojtësit të të akuzuarit Cedomir Aksiq, avokatit Zharko Gajiq se a kishte pasur ndonjëherë raporte të këqija me tanimë të akuzuarin.

Dëshmitari Agim Hysenaj deklaroi se ai nuk kishte pasur, por H., kishte pasur sepse i njejti kishte bartur dru, dhe i akuzuari kishe qenë shef i pyllit dhe gjithënjë kishin pasur konflikte.

Ndryshe kujtojmë se procesi gjyqësor ndaj  të akuzuarit Çedomir Aksiq po  zhvillohet në mungesë, pasi që Prokuroria dhe Gjykata kanë shtjerrë të gjitha mundësitë për sigurimin e prezencës së tij në gjykim.

Kjo çështje penale po gjykohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.

Çështja po gjykohet nga Violeta Namani-Hajra kryetare e trupit gjykues, antëtarët Arben Hoti dhe Rrahman Beqiri.

 

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Sipas aktakuzës së datës 02.05.2023, i pandehuri Çedomir Aksiq po akuzohet se së bashku me një grup ende të panjohur kriminal, akuzohet se në fillim të prillit të vitit 1999 ka drejtuar një operacion në një zonë të njohur si “Kodra e Gështenjave”, që ndodhet në mes të Komunës së Shtimes dhe fshatrave Mollopolc, Reçak dhe Petrovë.

Ata akuzohen për urdhërimin dhe dëbimin e banorëve të kësaj zone, si dhe për kryerjen e ekzekutimeve dhe shkatërrimin e shtëpive të vëllezërve Ruzhdi, Sadri, Rexhep dhe Hamdi Jashari në Shtime, më të cilat veprime kishin shkaktuar dëme në vlerë prej 300 mijë euro.

Në datat 13-14 maj 1999, sipas dosjes së prokurorisë, në një vend të njohur si “Lugu i Neshës” në fshatin Pertovë të Shtimes, Halil Hysenaj, tashmë i ndjerë, po qëndronte me familjen e tij dhe të tjerë pjesëtarë të komunitetit shqiptar që kishin zgjedhur të qëndronin në mal për t’u mbrojtur nga sulmet e forcave serbe. Kur forcat serbe kishin filluar të drejtoheshin drejt vendndodhjes së tyre në mal, Halil Hysenaj ishte nisur për të konfirmuar nëse ata ishin pjesëtarë të UÇK-së apo forcave serbe. Hysenaj ishte ndaluar nga i akuzuari Aksiq, i cili kishte veshur një uniformë “lara-lara” dhe kishte përdorur një armë pushkë 10-she, duke shtënë ndaj tij. Më vonë, trupi i të njëjtit ishte gjetur pa shenja jete nga banorët e fshatit.

Tutje, i akuzuari Aksiq së bashku me grupin e tij, sipas dosjes së prokurorisë, më datën 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e disa individëve gjatë sulmit të armatosur ndaj popullatës civile shqiptare, përfshirë Hajriz Brahimi, Hakin Murati, Sabri Murati, Arif Murati, Ahmet Mustafa, Sadik Mujota, Skënder Halili dhe Hanumshahe Mujota.

Sipas dosjes së prokurorisë, në momentin kur i moshuari Hajriz Brahimi, tashmë i ndjerë, po përpiqej të largohej nga shtëpia e tij dhe po shkonte në drejtim të malit, Çedomir Aksiq dhe grupi i tij kishin shtënë drejt tij me armë zjarri duke e lënë të vdekur brenda sekondash. Më pas, ishin afruar pranë të ndjerit, duke shtënë përsëri me armë në drejtim të tij, për t’u siguruar që ai të kishte vdekur. Në të njëjtën kohë, pas disa çastesh, të njëjtit kishin shtënë me armë edhe në drejtim të të moshuarëve – vëllezërve Haki, Sabri dhe Arif Murati, të cilët kishin mbetur të vrarë në vend, ku më pastaj ishin afruar pranë tyre duke i goditur përsëri me plumba.

Tutje, sipas dosjes së prokurorisë, i akuzuari Aksiq së bashku me grupin kishin zbritur poshtë fshatit në shtëpinë e Ahmet Mustafës, duke thyer derën me forcë dhe duke nxjerrë Ahmetin, gruan e tij Salën dhe Mentor Halilin nga shtëpia e tyre, ku në prezencën e bashkëshortes Sala dhe Mentorit vranë Ahmet Mustafën, ndërsa Mentori kishte arritur të shpëtonte.

Në ato momente, Aksiq dhe grupi i tij kishin shtënë me armë, duke e vrarë edhe Sadik Mujotën, i cili ishte duke kaluar rrethojën e oborrit me qëllim që të largohej nga vendi ku ndodheshin të njëjtit, dhe duke e plagosur në këmbë Skënder Halilin i cili kishte mbetur i shtrirë për tokë.

Vajza e Sadik Mujotës, sipas dosjes së prokurorisë, Hanumshahe Mujota nëpër breshëri plumbash kishte shkuar t’i ndihmonte babait të saj por kishte mbetur e vrarë afër kufomës së babait të saj. Skënder Halili që ishte plagosur në këmbë, e kishin goditur përsëri me qëllim që të sigurohen se ka vdekur, nga aty kishin shtënë dhe kishin lënë të vdekur edhe Mehmet Mustafën në oborrin e shtëpisë.

Ky artikull është mundësuar përmes mbështetjes së YIHR KS si partner implementues i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e Internews Kosova si partner kryesor dhe OJQ ACDC si partner implementues dhe nuk reflekton pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ose Nismës së të Rinjve për të Drejta të Njeriut (YIHR KS).
  • Kryetare e trupit Gjykues – Vioeta Namani Hajra
  • Anëtare- Arben Hoti Rrahman Beqiri
  • Prokuor- Habibe Salihu
  • I akuzuar Çedomir Aksiq