13.12.2024. » 14:00
Në seancën e radhës të gjyqit ndaj të akuzuarit për krime lufte, Dragisha Millenkoviq, të mbajtur më 13.11.2024 në Gjykatën e Prishtinës, janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Dragisha Millenkoviq akuzohet se në luftën e fundit, në vitin 1999, në cilësinë e personit zyrtar në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si krime lufte ndaj popullatës civile.
Në seancën e të mërkurës, 13.11.2024, dëshmoi Elmi Xhylani, i cili deklaroi se kur kishte qenë në Burgun e Prishtinës, ishte maltretuar dhe rrahur.
Dëshmitari Elmi Xhylani deklaroi se sa herë që kishte qenë në ndërrim i akuzuari Dragisha Millenkoviq, ai e kishte larguar nga qelia dhe bashkë me gardianët tjerë e kishin maltretuar rëndë dhe e kishin rrahur.
Dëshmitari Xhylani deklaroi se prej maltretimeve që i kishte pasur, të burgosurit e kishin ditur për të vdekur.
“Unë kam qenë një njeri që të gjithë të burgosurit e kanë ditë që jam i vdekur, qaq që më kanë maltretu…”- tha dëshmitari Elmi Xhylani.
Dëshmitari Xhylani tha se i akuzuari Millenkoviq në Burg të Prishtinës i kishte thënë: “Unë jam Dragisha, ke me pa kush kam me kanë unë”.
Dëshmitari Elmi Xhylani deklaroi se i akuzuari Millenkoviq në Burgun e Prishtinës e kishte maltretuar ndërsa në Burgun e Lipjanit jo.
“Dragisha në Lipjan nuk më ka maltretu, në Prishtinë po… Në Lipjan nuk muj me thanë që ka vepru diçka, po në Prishtinë 100 % betohem që u kanë”- tha dëshmitari Xhylani.
Dëshmitari Elmi Xhylani deklaroi se ishte arrestuar në ofensivën e shtatorit ndërsa viti deklaroi se nuk i kujtohej.
I pyetur nga i akuzuari Dragisha Millenkoviq se pse nuk e kishte denoncuar në polici që 25 vite, pasi që e kishte ditur emrin e tij.
“Mu s’um ka ra në mend për Dragishën se nuk kam pas ku rri, m’u kanë kallë me shpija me krejt i kam pas të kallta, ka ardhë momenti që e kanë zënë… ka ardhë momenti me deklaru çka më kanë bo”- u përgjigj dëshmitari Elmi Xhylani.
Paraprakisht në seancë u dëgjua edhe dëshmitari Ekrem Kastrati, i cili aktualisht është kryetar i Komunës së Malishevës.
Dëshmitari Kastrati deklaroi se ishte burgosur më 01.02.1997 pasi që kishte qenë në strukturën operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se ishte arrestuar nga forcat serbe.
Kastrati deklaroi se personelin e Burgut të Prishtinës dhe të Lipjanit shumë pak i ka njohur për shkak që nuk ka qëndruar shumë aty.
Dëshmitari Kastrati deklaroi se trajtimi i dhunshëm ndaj tyre kishte qenë duke shkuar në gjykatë dhe duke u kthyer nga gjykata.
Tutje dëshmitari deklaroi se në Burgun e Prishtinës më shumë kishin përjetuar dhunë psikike, sharje dhe ofendime.
“Kemi dëgjuar rrahje nëpër korridore të burgut, piskama të të burgosurve… sharje, ofendime: “Çka kërkoni, çka keni deshtë me bë? Kjo është e pamundur çka keni dashtë ju, dhe do ta pësoni keq në fund të kësaj, kemi me ju vra etj.’”- tha dëshmitari Kastrati.
Dëshmitari Kastrati deklaroi se kur kishin shkuar në Burgun e Lipjanit kishte qenë një kordon prej gardianëve të cilët kishin qenë të pajisur me shufra gome, ‘stupca’ të bejsbollit dhe mjete të forta, dhe secili prej tyre ishte dashur që të kalojë përmes atij kordoni për të hyrë në dhoma.
Tutje ai shtoi se edhe në Burgun e Lipjanit kishte pasur dhunë të kohëpaskohshme.
“Gjatë qëndrimit në Burgun e Lipjanit edhe aty ka pasë dhunë sporadike, të kohëpaskohshme, deri me datë 10 qershor kur na kanë dërgu në Nish”- tha dëshmitari Ekrem Kastrati.
Dëshmitari Kastrati tha se sjellja e gardianëve ndaj tyre kishte qenë jokorrekte.
“Sjellja ka qenë jokorrekte, jonjerëzore dhe joligjore, gjatë shkuarjes në tualet dhe kthimit gjithmonë dikush prej neve ka marrë goditje”- deklaroi dëshmitari Kastrati.
Në pyetjen e prokurorit Atdhe Dema se a i kujtohej dikush në Burgun e Lipjanit që e kishte maltretuar qoftë fizikisht apo psikikisht, dëshmitari tha se personalisht nuk kishte mundur ta njohë dikënd.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Millenkoviq, avokati Dejan Vasiq i propozoi trupit gjykues që të urdhërojë një kontroll mjekësor për të akuzuarin Dragisha Millenkoviq, pasi që sipas tij, bazuar në raportet mjekësore që i kanë i akuzuari Millenkoviq është pothuajse i verbër.
Tutje, avokati Vasiq i propozoi trupit gjykues që pas kontrollës mjekësore të shqyrtohet mundësia e ndryshimit të masës së sigurisë, që të akuzuarit t’i ndërrohet masa e paraburgimit dhe e njëjta t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak, duke shtuar se kushtet e paraburgimit e përkeqësojnë gjendjen shëndetësore të tij.
Këtë propozim të masës së sigurisë, avokati Vasiq e mbështeti duke thënë se i akuzuari Millenkoviq nuk ka arsye që të ikë në Serbi pasi që këtu e ka gjithë familjen dhe shtëpinë.
Propozimin e avokatit Vasiq për zëvendësimin e masës së sigurisë e kundërshtoi prokurori Atdhe Dema.
Ndërsa lidhur me këtë trupi gjykues e aprovoi propozimin e avokatit Vasiq për kontrollë mjekësore për të akuzuarin Millenkoviq ndërsa lidhur me propozimin për ndryshimin e masës së sigurisë, tha se do të vendosin pas raportit të kontrollës mjekësore për të akuzuarin.
Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej edhe një dëshmitar, mirëpo në mungesë të tij seanca u ndërpre.
Seancat lidhur me këtë çështje penale janë caktuar për në muajin janar.
Trupi gjykues i cili po gjykon këtë çështje përbëhet nga Kujtim Krasniqi – kryetar, dhe anëtarët Rrahman Beqiri dhe Arben Hoti.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Millenkoviq po akuzohet se në luftën e fundit, në vitin 1999, në cilësinë e personit zyrtar në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si krime lufte ndaj popullatës civile.
Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 21.06.2023, e për arrestimin e tij ishte protestuar në Graçanicë.
Millenkoviq ishte sjellë më 22.06.2023 para Gjykatës së Prishtinës dhe ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit.
Millenkoviq akuzohet se pasi që janë transferuar të burgosurit nga Burgu i Dubravës në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit i ka detyruar të burgosurit të kalojnë përmes një kordoni dhe të njëjtit i kishte goditur me shkop, grushte dhe shqelma.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të burgosurit në mënyrë sistematike ishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore, duke u torturuar, maltretuar, kanosur me jetë e kështu duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe pasoja në shëndet
Përveç kësaj, mbi të burgosurit sipas dosjes së Prokurorisë ishte ushtruar edhe dhunë psikike.
Këto veprime, Millenkoviq akuzohet se i ka kryer në bashkëpunim me tre zyrtarë të tjerë ndër të cilët ish-drejtori i Burgut të qarkut të Prishtinës, Lubomir Cimburoviq, si dhe gardianët Predrag Bradiq dhe Milivoje Iliq.
Sipas prokurorit Atdhe Dema, këto veprime janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare të Gjenevës.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Lajmet e fundit