09.10.2024. » 12:52
“Jo nuk jam fajtor, dhe nuk ndihem fajtor”, kështu u deklarua Sllagjan Trajkoviq, i akuzuari për krime lufte në komunën e Vushtrrisë, në seancën e datës 03.10.2024 në Gjykatën e Prishtinës.
Gjykimi ndaj të akuzuarit Sllagjan Trajkoviq ka filluar rishtazi kjo për arsye të ndryshimit në trupin gjykues, ndërsa aktakuza me pëlqimin e palëve u konsiderua e lexuar.
I akuzuari Sllagjan Trajkoviq kur u pyet lidhur me fajësinë u deklarua i pafajshëm për veprat për të cilat akuzohet nga Prokuroria Speciale.
Prokurorja speciale Florije Salihu- Shamolli në fjalën e saj hyrëse deklaroi se pas dëgjimit të dëshmitarëve, trupi gjykues do të bindet se i njëjti ka kryer veprën penale, dhe propozoi që dëshmitë e dëshmitarëve që kanë dhënë dëshminë e tyre të konsiderohen të lexuara, dhe të vazhdohet me dëshmitë e dëshmitarëve që nuk janë deklaruar për shkak të ekonomizimit të procedurës.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Sllagjan Trajkoviq, avokati Dejan Vasiq në fjalën hyrëse tha se ka përgatitur një parashtresë të cilën do ta dorëzoj në seancë e që ka të bëjë me përkthimin e disa procesverbaleve të cilat nuk janë përkthyer.
Tutje avokati Dejan Vasiq kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarit Sllagjan Trajkoviq t’i ndërprehet masa e paraburgimit dhe e njëjta t’i zëvendësohet me një masë më të lehtë, dhe se nuk ekziston rreziku që i njëjti të largohet nga Kosova sepse gjithë familjen e tij e ka në Kosovë.
I njëjti tha se gjykata nuk ka dhënë arsyetim tjetër se përse të akuzuarit Trajkoviq po i vazhdohet masa e paraburgimit përveç arsyetimit se i njëjti ka dy nënshtetësi dhe se ekziston rreziku i ikjes.
Tutje, avokati Vasiq tha se familja Trajkoviq ka ofruar dorëzani në shumë prej 30 mijë euro për ta lejuar të akuzuarin të mbrohet në liri, shumë që do të sigurohej ndërmjet një kredie.
Fjalën e avokatit Vasiq e mbështeti edhe i akuzuari Dejan Vasiq, i cili tha se nuk e ka ndërmend të ikën nga Kosova.
“Unë nuk e kam ndërmend të iki nga Kosova, e as që më ka ra ndërmend, që të largohem nga Kosova, asgjë nuk kam në Serbi, atë që më vlen shpirtërisht dhe materialisht është këtu”- tha i akuzuari Sllagjan Trajkoviq.
Tutje, kryetari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni mori aktvendim duke aprovuar propozimin e prokurores speciale që deklaratat e dëshmitarëve që janë dëgjuar të konsiderohen të lexuara, ndërsa lidhur me propozimin e mbrojtjes që të pandehurit t’i ndërprehet masa e paraburgimit, trupi gjykues do të vendosë jashtë seancës dhe për të njëjtën kërkesë do të nxjerrë aktvendim në formë të shkruar.
Meqenëse në seancë nuk ishin të pranishëm dëshmitarët të cilët nuk janë dëgjuar në shqyrtim gjyqësor seanca e sotme u ndërpre dhe e njëjta u caktua për datë tjetër.
Kujtojmë se në këtë çështje penale është bërë ndryshimi i trupit gjykues për këtë arsye seanca sot ka filluar rishtazi.
Arsyeja e ndërrimit të trupit gjykues është për shkak se Mentor Bajraktari është avancuar në Gjykatën e Apelit, po ashtu edhe gjyqtarja Valbona Musliu – Selimaj.
Ndërsa trupi i ri gjykues është i përbërë nga Ngadhnjim Arrni- kryetar dhe anëtarët Arben Hoti dhe Kushtrim Shyti.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Sllagjan Trajkoviq dyshohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Reznik dhe fshatrat përreth të komunës së Vushtrrisë, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, si pjesëmarrës i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestime, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të mijëra civilëve shqiptarë.
Po ashtu, ai dyshohet edhe për masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.
“Duke shkelur kështu rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe protokollet shtesë”- thuhet në dosjen e prokurorisë.
Gjykimet për krime lufte
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze e gjeni në LINK.
Lajmet e fundit