24.05.2022. » 18:58


Op-ed - Koha për veprime institucionale!



Situata e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë është shumë e paqartë! Me një numër që ende nuk dihet fati i tyre, mirëpo ajo që është më e dhimbshme është se familjet e tyre ende presin çdo lloj lajmi për të kuptuar për fatin e tyre!

koha-per-veprime-institucionale

Situata e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë është shumë e paqartë! Me një numër që ende nuk dihet fati i tyre, mirëpo ajo që është më e dhimbshme është se familjet e tyre ende presin çdo lloj lajmi për të kuptuar për fatin e tyre!

Shpesh herë kur shoh lajme rreth kësaj teme, disi nuk kam koment apo ndonjë reagim, me qenë se tema e të pagjeturve nuk trajtohet në mënyrë të duhur. Thuajse është ‘garë’ se cili prej mediumeve raporton lajm për zvogëlimin e numrit të pagjeturve (tek lajmet kur gjinden mbetjet mortore) dhe disi tingëllon “mburrje” shumë e panevojshme për publikimin e lajmit. Edhe kur ta shohësh, nuk është lajm i zbuluar nga vet mediumi mirëpo e dhënë që jepet zyrtarisht nga institucionet relevante. Janë pak ato lajme që i trajtojnë vuajtjet e familjarëve për të afërmit e tyre!

Në një prej shtyllave të ballafaqimit me të kaluarën, pa dyshim se është pjesë e pandashme e saj edhe të pagjeturit dhe familjet e tyre. Të tjerat, dalë ngadalë kemi filluar t’i harrojmë, si memoria kolektive, trashëgimia kulturore e përbashkët, historia, dhe narrative të ndryshme. Megjithëkëtë, fajtori kryesor mbeten institucionet relevante që i kanë ndihmuar mjaft dukurisë së harresës. Shembull: një prej fushave që do të mund të kontribuonte në fushën e të pagjeturve është institucioni arsimor i lartë, ku për një periudhë maksimum 5 vjeçare do të mund të i mblidhte të gjitha të dhënat e të pagjeturve dhe familjeve të tyre. Të dhëna si ato bazike dhe biografike por edhe ante dhe post mortem data. Siç dihet, shumë të dhëna mungojnë për shkak se askush nuk është interesuar që ti mbledh ato. Për t’i poseduar ato të dhëna  duhet punuar e hulumtuar. Nga ana tjetër, ekzistojnë dokumentare e të dhëna në forma deklarative nga familjarët e të pagjeturve, mirëpo, sa mund të jenë relevante, për çfarëdo lloj procesi, mbetet pikëpyetje?!

E vetmja e dhënë e sigurtë që ende mbetet e sigurtë është se për 22 vite nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Të gjitha familjet e të pagjeturve kanë shpresë se do të kenë informatë një ditë. Në rast se do të mund të angazhoheshin institucionet relevante, për të mbledhur të dhëna të nevojshme për të pagjeturit, atëherë do të duhet të bëjnë pa i bezdisur shumë familjarët e gjallë, sepse është vuajtje e madhe të kthesh kujtimet nga rasti që ka ndodhur për 22 vite. Mbase, edhe nuk do të dalin të dhënat e sakte sepse edhe familjarët e respektuar mund të kenë harruar rastin në detaje (ka ndodhur jo vetëm në shembullin tonë, por edhe shteteve tjera) dhe deklarata të mos përkoj plotësisht me rastin. Familjarët duhet respektuar në maksimum duke i lënë të qetë, sepse nuk është etike që të rikthehen në kujtime të mëhershme dhe të kenë vuajtjet e freskëta, mirëpo duhet institucionet të ngritin nivelin e tyre të detyrës dhe të merren me zbardhjen e rasteve.

Të dhënat e detajuara për të pagjeturit janë mbledhur për 10-15 vite pas lufte nga UNMIK, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe ICMP, gjithashtu edhe FDH Kosovë. Një pjesë e këtyre të dhënave u janë dhënë institucioneve tona (Kryqit të Kuq të Kosovës dhe Institucioneve Qeveritare) por në çfarë përmasash dhe thellesie nuk mund ta di. 

Mirëpo, zgjidhja e këtij problemi ka vazhduar të mbetet në margjinat e axhendave qeveritare duke u politizuar dhe duke u shfrytëzuar për nevoja të politikës ditore në Kosovë pa pasur ndonjë qasje strategjike e cila do të adresonte edhe nevojat e familjarëve për të ditur fatin e më të dashurve të tyre dhe njëkohësisht të adresonte problemet e tyre ekzistenciale (psiko-sociale, juridiko-pronesore, etj.). 

Shpesh po e potencoj “institucionet”, kurse qëllimisht nuk po e potencoj se cilat. Besoj se nuk është e nevojshme të ju bëjë marketing duke i përmendur sepse nuk është për mburrje e marketing për punën që nuk e kanë bërë gjatë këtyre viteve. Bëhet fjalë për institucionet apo autoritetet përgjegjëse (kur kërkohet informata prej tyre lidhur me fatin e të pagjeturëve), ndërsa institucionet relevante (kur kërkohet bashkëpunimi i tyre në zbardhjen e fatit të të pagjeturve). 

Në këtë rast, institucionet përgjegjëse janë në Serbi, ndërsa institucionet relevante janë të gjitha ato që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit (institucionet kosovare, serbe, nderkombetare, etj). 

Shembull tjetër që mund ta keni hasur është për shtetin gjerman. Kryqi i Kuq Gjerman do të përfundojë shërbimin për gjurmimin e personave të zhdukur nga Lufta e Dytë Botërore në vitin 2023, duke i dhënë fund një kërkimi prej dekadash (burimi: Deutsche Welle). Siç dihet Gjermani është një nga shtetet më të fuqishme në botë, mirëpo, ka më shumë dekada përvojë në këtë fushë, dhe do të ishte mirë që praktikat e tyre për dokumentimin e të pagjeturve të mësohen dhe të praktikohen përshtatshmërish me gjendjen e vendit tonë. Natyrisht, kjo punë bëhet nga institucionet. Gjithsesi, në bashkëpunim me organizatat të cilat merren specifikisht me të pagjeturit dhe ndërtimit të pajtimit. Madje, organizatat (disa, jo të gjitha) mund të jenë mësim i mirë për praktikat e ndërtuara rreth dokumentimit të të dhënave për të pagjeturit.

Shumë arsye mund të dalin si pasojë e mos-punës. Jemi të njohur me faktin e papunësisë, si një nga shtyllat më emergjente për zhvillimin e vendit, gjithashtu edhe sistemin e shëndetësisë dhe arsimit nuk janë në nivelin e duhur dhe duhet intervenime emergjente për përmirësimin e gjendjes, mirëpo, vuajtjet e familjeve të pagjeturve duhet të mos krahasohen me nevojat emergjente për përmirësimin e gjendjes. Ka ardhur momenti kur duhet të ballafaqohemi me çfarëdo lloj situate, në mënyrë që të dihet fati i të pagjeturve, rrjedhimisht kërkim falja dhe pranimi i kërkim-faljes, ku me këta hapa fillon procesi i pajtimit ndërmjet vendeve (cilat do qofshin ato). Pra, gjithsesi duhet të ballafaqohemi me të kaluarën edhe disa vite, mund të ndodh edhe me dekada tjera (si rasti i Gjermanisë, apo Francës) dhe te mbyllim këtë temë më së miri si dhe të vazhdojmë të trajtojmë tema të tjera zhvillimore për gjeneratat e ardhshme.

Në rastet kur ndodh ndryshimi i gjeneratës, gjithsesi pasoja do të ketë tek institucionet, sepse gjeneratat e ardhshme do të na mallkojnë për një punë që nuk është bërë nga gjenerata e tashme (qoftë nga institucionet apo të tjerët). Gjithashtu, edhe gjeneratat e ardhshme të familjeve të pagjeturve do të bëjnë pyetje për familjet e tyre, të cilat nuk do të marrin përgjigje për ta.

Krejtësisht në fund, edhe unë jam mjaft kërkues për zhdukjen e gjyshit tim që nga viti 1945, që as sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e tij, vetëm se besohet të jetë i vrarë nga sistemi i asaj kohe! As nuk dihet ku është varrosur, e as nuk dihet asgjë për mbetjet mortore. Pra, plot dekada kanë kaluar, rezultate nuk ka! Ekzistojnë edhe shembuj të tjerë, mirëpo, shembujt në vetën e parë njëjës janë më lehtë për tu treguar.

Projekti “Përballja me të kaluarën dhe pajtimi në Kosovë përmes rritjes së vetëdijes për çështjen e personave të pagjetur” është pjesë e projektit “Rrjeti i pajtimit të KOMRA-s” i financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Qendrës së Avokimit për Kulturën Demokratike dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.