22.04.2025. » 09:19
Atje ku të tjerët shohin vetëm kufij, ne shohim hapësirë për krijim. Something Went Wrong (SWW) u krijua në Mitrovicë, një qytet me mijëra rrëfime për ndarje, por edhe me histori të fshehura për guxim, për rezistencë, për art që mbijeton. Muzika jonë është një nga ato histori.
Kur kemi filluar, nuk kishte plane të mëdha. Vetëm disa njerëz nga anë të ndryshme, me histori të ndryshme, që ndjenin se kishte ardhur koha të krijohej diçka e sinqertë. Vijmë nga komunitete të ndryshme etnike, me përvoja që na kanë formësuar në mënyra të ndryshme.
Puna në albumin tonë të parë ishte shumë më tepër sesa një proces muzikor. U krijua me kohë dhe ndershmëri. Nuk ishte vetëm teknikisht – ishte një proces i njohjes reciproke, i përshtatjes, i ndërtimit të besimit. Ndonjëherë ishte e vështirë. Por çdo akord, çdo provë e përbashkët, çdo këngë e përfunduar ishte një hap përpara. Tingulli ynë u bë autentik pikërisht sepse përmbante gjithë dallimet tona – pa tentuar t’i fshijë ato. Në momente të tjera, mjaftonte të luanim pa fjalë, duke kërkuar një tingull që do të fliste në vendin tonë.
Krijimtaria jonë nuk vinte nga përsosmëria, por nga dallimet. Riff-et e kitarës që sjell Xhemili janë shpesh energjike, por ndonjëherë edhe shumë emocionale dhe të buta. Rritmi i Milloshit në daulle sjell stabilitet dhe forcë. Savica me tastierën e saj zgjeron hapësirën, ndërsa Nemanja me basin e tij shton pulsimin që na mban të gjithëve bashkë. Dhe pastaj jam unë, Ilda – zëri që bart emocionin, ndonjëherë në mënyrë delikate, ndonjëherë drejtpërdrejt.
Procesi i krijimit të këngëve ishte organik. Disa u krijuan shpejt, nga improvizime që ndodhën thuajse rastësisht. Të tjerat u zhvilluan ngadalë, duke ndryshuar formë përmes bisedave, mospajtimeve, kompromisit. Por në secilën ka mbetur një pjesë e tregimit tonë të përbashkët – një histori për mënyrën se si botë të ndryshme mund të gjejnë një ritëm të përbashkët.
Tekstet e këngëve nuk janë përpjekje për "pajtimin" artificial. Ato flasin për ndjenja universale: për pasiguri, për faktin se kërkimi për kuptim është i përbashkët për të gjithë – pavarësisht emrit, mbiemrit apo gjuhës. Ato flasin për betejat e brendshme që i njohim të gjithë, për ato momente kur bota duket shumë e madhe, e ti shumë i vogël.
Puna në album ishte edhe teknikisht sfiduese. E ndamë kohën ndërmjet obligimeve ditore, regjistruam në kushte të ndryshme, gjetëm mënyra për të pajtuar shijet dhe ndikimet tona muzikore. Nuk kishim një produksion të madh pas vetes. Kishim gjënë më të rëndësishme – përkushtimin dhe besimin se ajo që po bënim kishte kuptim.
Promovimi i albumit tonë ende nuk ka ndodhur. Dhe këtë nuk e shohim si fund të procesit, por si një fillim të ri. Na presin koncerte, takime me publikun, biseda që shpresojmë të hapin pyetje të reja dhe të nxisin ide të reja.
Shpresojmë që çdo paraqitje të jetë më shumë se vetëm muzikë – të jetë një hapësirë për takim, për shkëmbim, për mundësinë që bota për një çast të duket ndryshe.
E dimë që nuk jetojmë në një botë ideale. E dimë që ndryshimi nuk vjen lehtë. Por pikërisht për këtë zgjedhim të jemi zëri i një Mitrovice tjetër – Mitrovica që nuk heq dorë nga ideja e bashkësisë.
Mesazhi ynë nuk është ndonjë slogan i madh. Ai është i thjeshtë: arti i përket të gjithëve. Tingulli i përket të gjithëve. Të drejtën për të qenë bashkë në art, askush nuk mund të na e marrë.
Something Went Wrong (SWW) ndoshta në emër bart një notë ironie, por ajo që po ndërtojmë së bashku është serioze dhe e thellë. Muzika jonë nuk ofron përgjigje të lehta. Ajo bën pyetje: çfarë na bën bashkësi? Si mund të jemi pjesë e të njëjtës këngë, të të njëjtës histori, pavarësisht gjithçkaje?
Duke parë prapa, e kuptojmë se suksesi më i madh i SWW është që kemi krijuar një hapësirë ku dallimet nuk fshihen, por respektohen. Dhe pikërisht për këtë arsye besojmë se para nesh nuk është fundi – por fillimi.
Synojmë të vazhdojmë të shkruajmë këngë të reja, të performojmë, të bashkëpunojmë me artistë nga mjedise të ndryshme, të ndërtojmë tregime që tregojnë se arti mund të jetë hapësirë takimi – edhe aty ku gjithçka tjetër ka dështuar.
Për ne, çdo duartrokitje, çdo mesazh mbështetjeje, çdo buzëqeshje nga publiku është një konfirmim se ajo që po bëjmë ka kuptim. Jo sepse mendojmë se mund ta ndryshojmë tërë botën, por sepse besojmë se çdo urë e vogël që ndërtojmë ia vlen.
Në një kohë kur është e lehtë të zgjedhësh ndarjet – ne zgjedhim bashkëpunimin. Zgjedhim artin. Zgjedhim të mos kthejmë kokën nga dallimet – por t’i festojmë ato.
Dhe besojmë se muzika jonë do të gjejë rrugën deri te ata që ndiejnë njësoj. Sepse në fund, kur gjithçka tjetër hesht – mbetet vetëm një pyetje: a kemi provuar të jemi pjesë e zgjidhjes?
Ne jemi Something Went Wrong. Dhe besojmë se arti ende ka fuqinë të rregullojë atë që ka shkuar keq.
Dhe po – sapo kemi filluar.
- Ilda Krama
Lajmet e fundit