28.09.2023. » 10:29


OP - ED Diskriminimi i bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor: Një rrugë drejt përfshirjes më të madhe



Jetojmë në një botë në të cilën diversiteti duhet të mbështetet dhe të mbrohet, diskriminimi i bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor vazhdon të mbetet një nga shqetësimet kryesore.

op-ed-diskriminimi-i-bazuar-ne-orientimin-seksual-dhe-identitetin-gjinor-nje-rruge-drejt-perfshirjes-me-te-madhe

Jetojmë në një botë në të cilën diversiteti duhet të mbështetet dhe të mbrohet, diskriminimi i bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor vazhdon të mbetet një nga shqetësimet kryesore. Sfidat dhe pengesat qe hasin komuniteti LGBTQ+ janë ende të pranishme në shumë pjesë të botës, ku diskriminimi dhe dhuna që pësojnë këta individë janë cështje të rëndësishme për të drejtat e njeriut dhe ky shqetësim kërkon angazhim të përbashkët të shoqërisë për të ndërtuar një rrugë drejt një shoqërie që mbron të drejtat dhe vlerat e cdo individi, pavarësisht orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Individët të cilët i përkasin komunitetit LGBTQ+, janë individët të cilët përballen me nivelin më të lartë të diskriminimit dhe dhunës në mbarë botën duke u nisur nga shumë faktorë të ndryshëm sic janë refuzimi i tyre në punë, në shkollë, refuzimi nga shoqëria, duke sjellë edhe pasoja emocionale dhe psikologjike te këta individë. Një numër i madh i tyre vijnë nga familje të cilat i kanë braktisur ata, thjeshtë për shkak të orientimit të tyre seksual apo identiteti të tyre gjinor, e cila paraqet shkelje të të drejtave të një njeriu dhe një pengesë të madhe për përfshirjen e tyre në shoqëri. Jetojmë në një shoqëri me një mentalitet jo shumë të hapur dhe tolerues ndaj diversitetit gjinor, dhe një mentalitet i cili përhap stereotipe, diskriminim, dhe mospërfillje të nevojave dhe të të drejtave te këtij komuniteti. Në vendin ku unë jetoj, jo shumë njerëz në shoqërinë tonë i mbështesin individët e LGBTQ+ dhe është një sfidë që duhet të adresohet dhe ndryshohet.

Rruga më efektive për të promovuar përfshirjen e këtyre personave dhe për të luftuar homofobinë dhe transofobinë është edukimi. Është një cështje mjaft delikate për të cilën institucionet arsimore duhet të formohet një program I përshtatshëm mësimor në të cilin përfshihen cështjet e LGBTQ+ në mësimin e vazhdueshëm, sepse edukimi është mjeti më i fuqishëm formimin apo ndryshimin e përceptimeve.Nëse një shoqëri edukohet dhe mësohet me idenë se cdo idivid meriton respekt dhe barazi, atëherë ata do të rriten me një kujdes më të madh për të drejtat e njeriut dhe kjo gjithashtu do të ndikojë edhe në krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse. Ndryshimi ligjor gjithashtu është hap tjetër i rëndësishëm i cili ndikon në mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti e padyshim që diskriminimi i tyre do të duhej të dënohej.

Përfshirja nuk është vetëm një cështje ligjore dhe arsimore, por është një qëllim shoqëror që mund të arrihet vetëm përmes ndërgjegjësimit të gjithë shoqërisë dhe të punojmë për të ndryshuar mentalitetet tona, sepse si pasojë e mentalitetit ndodhin edhe refuzimet e tyre duke filluar që nga familja. Duke respektuar njëri-tjetrin për atë që ne jemi, atëherë ne mund të krijojmë një shoqëri më të dashur dhe më të përfshirë për të gjithë.

Ne të gjithë kemi përgjegjësi për të ndihmuar në ndryshimin e botës për ta bërë atë një vend më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë, pa dallim të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Është koha për të ndryshuar dhe për të përhapur dashurinë dhe respektin ndaj cdo individi, sepse përmes bashkëpunimit, ndërgjegjësimit dhe ndryshimeve ligjore ne mund të kontribuojmë në krijimin e një shoqërie më të mire, dhe pranuese e diversiteteve të ndryshme.

                                                                                                                         

                                                                                                             Drenusha Zeqiri,

                                                                                                                   Studente