21.12.2024. » 16:22
Në Gjykatën e Prishtinës u dhanë fjalët përfundimtare pas 7 muajsh gjykim të Ekrem Bajroviqit, i akuzuar për krime lufte në Kosovë në vitet 1998-1999, në Istog dhe në fshatrat përreth.
Dosja e Prokurorisë thotë se Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.
Sipas Prokurorisë, ai ishte pjesë e forcave policore dhe ushtarake që vranë 15 civilë të nacionalitetit shqiptar në fshatin Staradran më 08.05.1999.
Prokurori Ilir Morina në fjalën përfundimtare kërkoi dënimin e të akuzuarit në emër të viktimave dhe në emër të drejtësisë, duke i kërkuar Gjykatës të marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
“Dikush duhet të mbijetojë që të tregojë. Në emër të viktimave të vrara që nuk mund të flasin për veten e tyre, dhe në emër të drejtësisë, ne kërkojmë që kjo mizori të mos mbetet e pandëshkuar” – tha prokurori Morina më 17.07.2024.
Ai i kërkoi Gjykatës që si rrethanë lehtësuese për të akuzuarin të merret se ky i fundit e kishte shpëtuar Ahmet Elshanin dhe disa persona të tjerë, kurse si rrethana rënduese prokurori kërkoi të merren parasysh shkalla e përgjegjësisë penale, motivi i kryerjes së veprës penale, intensiteti i rrezikut dhe objektit të mbrojtur, sjellja e mëparshme e tij si dhe sjellja e tij pas kryerjes së veprës.
Prokurori përmes fjalës së tij përfundimtare i dërgoi një mesazh të pandehurve të tjerë që gjenden në arrati.
“Viktimat e këtyre mizorive kërkojnë drejtësi ndërsa të pandehurit e tjerë që janë në arrati do t’u dërgohet mesazhi se pavarësisht kohës së kaluar 20, 30 vite apo më shumë, kurdo që do të haseni do të përgjigjeni para drejtësisë”- përfundoi prokurori Morina.
Ndërsa mbrojtja e të akuzuarit kërkoi lirimin e Ekrem Bajroviqit, duke përsëritur se nuk e mohojnë faktin se ishte kryer krim në fshatin Staradran, por klienti i tyre nuk kishte marrë pjesë në krimet që i vihen në barrë nga Prokuroria.
“Ne pajtohemi se janë vrarë njerëz të pafajshëm dhe ne nuk e kemi problem ta themi në këtë Gjykatë dhe jashtë kësaj gjykatore, para mediave dhe para publikut, mirëpo mbrojtja në tërësi e mohon pretendimin nga akuza se Ekrem Bajroviq më 7 dhe 8 maj 1999 ka marrë pjesë në kryerjen e veprës penale e cila i vihet në barrë” – u shpreh avokati Lubomir Pantoviq në fjalën e tij përfundimtare.
Pastaj e mori fjalën edhe vetë i akuzuari Ekrem Bajroviq, duke theksuar se ndjen “turp” që i duhet të mbrohet nga aktakuza e Prokruroisë Speciale. Ai në fjalën e tij theksoi se ka qenë prezent në ditën kritike, ka shpëtuar njerëz në ditën kritike por nuk e di se kush i ka kryer krimet.
“Ndjej turp të madh që më duhet të mbrohem nga një akuzë e tillë. Gjithmonë jam munduar të jetoj me ndërgjegje. Kam jetuar në paqe me komshinjtë shqiptarë. Është e vertëtë që kam qenë polic. Tërë jetën kam pasur pobleme me eprorët. Jam munduar t’i ndihmoj dhe t’ua lehtësoj njerëzve kudo që kam munduar. Prapë se prapë janë kushërinjtë e mi, më kanë njohur mua, babain tim shofer autobusi, bile edhe në ditën kritike kur kanë ndodhur vrasjet fatkeqe, unë jam munduar që t’u ndihmoj njerëzve. Atë ditë janë vrarë civilë të pafajshëm, por unë nuk kam marrë pjesë në këtë. As nuk e di kush e ka bërë këtë” – tha Bajroviq para trupit gjykues më 17.07.2024.
Shpallja e aktgjykimit ndaj tij do të bëhet më 19.07.2024.
Trupi gjykues, i cili po gjykon këtë çështje penale, përbëhet nga Mentor Bajraktari – kryetar, dhe anëtarët Arben Hoti dhe Kujtim Krasniqi.
I akuzuari Bajroviq ishte mbrojtur në heshtje para kësaj Gjykate më 03.07.2024.
“Jam konsultuar me mbrojtësin tim. Jam marrë në pyetje dy ditë tek prokurori, dhe aty i kam dhënë të gjitha përgjigjet e qarta. Në konsultim me mbrojtjen time, nuk kam çka të deklaroj tjetër dhe dua të mbrohem në heshtje” – ishte shprehur i akuzuari Bajroviq para trupit gjykues.
Pasi i akuzuari ishte mbrojtur në heshtje, i dëmtuari, 86-vjeçari Daut Elshani i kishte dhënë Gjykatës 3 fotografi të djemve të tij të vrarë në fshatin Staradran, në maj të vitit 1999, e për të cilën thotë se atë ditë kur djemtë e tij janë vrarë, i akuzuari ka qenë i armatosur në atë vend, atë ditë.
Njëri nga djemtë e tij të vrarë ai tha se ka qenë 16-vjeçar.
Daut Elshani ka dhënë dëshmi para kësaj Gjykate dhe ka rrëfyer për momentet se si i kishin marrë djemtë e tij, si kishte shpresuar se do të shpëtonin, e deri tek kërkesa për drejtësi.
“Këtë [të akuzuarin] nuk e kam pa tuj sjellë. Ata tjerët po. Ky ka qenë i armatosur. Ka qenë në mbrojtje të tyre. Ky e din kush e ka vra kënd. Unë nuk dal prej sallës pa më kallxu kush i ka vra djemtë. Ky i fortë unë i lig, ky le t’knon unë po kaj. Se ma ka mshelë derën me therrë. Nuk është kollaj me t`i vra 3 djem pa hak, pa hile. E vëllai i katërti, Naimi i pesti. A pat shpirt kush? Është gjynah, gjynah është prej Zotit” – kishte thënë dëshmitari Elshani në seancën e datës 27.06.2024.
Në gjykimin ndaj Bajroviqit ishin administruar provat e Prokurorisë dhe ato të mbrojtjes ku përfshihen; Dosja teknike kriminalistike e datës 27.10.2022, Raporti i vendit të ngjarjes të datës 27.10.2022, Foto-albumi i datës 27.10.2022, Raporti informues i datës 16.01.2023, Raporti informues i datës 18.05.2023, Video-incizim nga vendi i ngjarjes [u konstatua i shikuar], Raporti informues i datës 19.10.2022, Raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes të datës 27.10.2022, 19 procesverbale të identifikimit të të dyshuarit përmes fotografisë, certifikata të vdekjes së viktimave që tregojnë kohën dhe vendin e vdekjes, si dhe provat e mbrotjes që ishin një aktgjykim i gjykatës themelore me numër. P.nr.1060 të datës 22.03.2022, vërtetimin mbi pronësinë, si dhe një deklaratë e Policisë së Vitomericës më të akuzuarin si i dëmtuar të datës 04.02.2019.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për Ekrem Bajroviqin?
Sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, në Istog dhe në fshatrat përreth, Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.
Këto veprime akuzohet t’i ketë kryer si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe në mënyrë individuale si dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë.
Aktakuza thotë se në fshatin Staradran më 08.05.1999 kolona e popullsisë civile që po shkonte në drejtim të Shqipërisë ishte ndalur nga këto forca policore dhe ushtarake serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Bajroviq, me ç’rast ishin ndarë djemtë e burrat nga pjesa tjetër e grupit.
Fillimisht atyre u ishin marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas ishin vendosur në oborrin e shtëpisë së një personi ku ishin renditur me radhë, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, me ç’rast forcat serbe i kishin sulmuar fizikisht dhe rrahur me mjete të ndryshme, thuhet në aktakuzë.
Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe u ishin drejtuar me fjalët: “Ku e keni NATO-n?” e “Ku e keni UÇK-në?”.
Aktakuza thotë se më pas ishin dërguar në një shtëpi, në të cilën kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë. Vetëm një prej tyre kishte mbijetuar, ndonëse i plagosur.
Ndërkaq, sipas aktakuzës, i akuzuari më 07.05.1999 kishte marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët fillimisht i kishin ndarë nga kolona dhe i kishin marrë të gjitha paratë e sendet me vlerë.
Më pas këta persona i kishin dërguar në Gurakovc, në një lokal, në të cilin i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore e më pas i kishin transferuar në stacionin policor në Gurakovc.
Sipas aktakuzës, kolonës i ka prirë i akuzuari Ekrem Bajroviq me nacionalitet boshnjak, i cili kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut një person në anën e djathtë nën brinjë.
Kurse më pas, sipas aktakuzës, pas vendosjes së civilëve në stacion policor, i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore, dhunë psikike, duke i kanosur për jetë. Më tej në aktakuzë thuhet se përveç lëndimeve të rënda trupore u janë shkaktuar trauma dhe pasoja në shëndet.
Sipas aktakuzës, këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore si dhe Konventës Ndërkombëtare të Gjenevës.
Lajmet e fundit