12.02.2025. » 12:25
Ndotja përfaqëson një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë, duke pasur pasoja të mëdha për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve. Duke pasur parasysh që planeti ynë po përjeton ndryshime serioze, është jetike që të kuptojmë dhe të adresojmë problemet e ndotjes. Pasojat e saj afatgjata nuk shkatërrojnë vetëm ekosistemet tona natyrore, por ndikojnë edhe në cilësinë e jetës së njerëzve.
Shfrytëzimi i burimeve natyrore është i madh dhe, ndërsa zinxhirët globalë të furnizimit janë të mbushur me shfrytëzim, aktiviteti njerëzor ka kontribuar ndjeshëm në degradimin e mjedisit. Për të rivendosur ekuilibrin natyror, pra për të krijuar një balancë midis njeriut dhe natyrës, është e rëndësishme të kombinohen zgjidhjet inovative me ndërgjegjësimin ekologjik. Kjo do të thotë se është thelbësore të punohet për ngritjen e vetëdijes ekologjike në një nivel më të lartë, duke përdorur metoda krijuese dhe punëtori edukative.
Pse është riciklimi thelbësor për ruajtjen e burimeve?
Përmes këtij teksti dua të shpjegoj sa e rëndësishme është riciklimi për ne dhe do të përpiqem ta ilustroj këtë me shembullin e riciklimit të letrës. Celuloza përfaqëson lëndën kryesore për prodhimin e letrës, që do të thotë se për të plotësuar nevojat për letër, duhet të shkatërrohen sipërfaqet e gjelbra. Të dhënat tregojnë se për prodhimin e 1 ton letre nevojiten 2 tonë dru, 85.000 litra ujë dhe 7,4 MW energji elektrike. Për shpërbërjen e letrës në natyrë duhen 6 muaj.
Letra që përfundon në deponi, pa praninë e oksigjenit, prodhon metan, i cili ka veti të dëmshme. Në këtë mënyrë krijohet efekti serrë, i cili është 24 herë më i fuqishëm se dioksidi i karbonit. Nëse e riciklojmë këtë letër, kursejmë 40% të energjisë, shpëtojmë pyjet dhe parandalojmë prodhimin e metanit.
Statistikat tregojnë se me riciklimin e 1 ton letre të vjetër ruhen 17 pemë, ndërsa me riciklimin e letrës së zyrës ruhen 24 pemë. Gjithashtu, arrihet një kursim prej 34.000 litrash ujë dhe rreth 3 MW energji elektrike. Efiçiente, apo jo? Duke reduktuar mbetjet, zvogëlojmë edhe përdorimin e burimeve natyrore. Duhet të shohim mbeturinat si një burim ose një gjysmëprodukt, i cili përmes riciklimit bëhet lëndë e parë për një produkt të ri.
Në veri të Kosovës, ekziston një numër i madh i deponive të paligjshme, për shkak të mungesës së një infrastrukture të zhvilluar mirë për depozitimin dhe trajtimin e mbeturinave. Kjo çon në probleme të tjera, si krijimi i vendgrumbullimeve të mbeturinave, një fenomen më i përhapur në fshatra, ku nuk ekziston një sistem i organizuar i mbledhjes së mbeturinave nga institucionet përgjegjëse. Përfshirja e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes mbi mjedisin mundëson respekt më të madh të të drejtave të njeriut dhe mbrojtje më të mirë të ambientit.
Ndotja nuk përfaqëson vetëm një kërcënim lokal, por edhe një kërcënim global, pasi pasojat e saj nuk njohin kufij dhe mund të përhapen në forma të ndryshme, përmes erës ose ushqimit. E ardhmja e të rinjve varet nga ne. Për shkak të sjelljes sonë të papërgjegjshme ndaj planetit, një numër i madh i specieve bimore dhe shtazore ndodhen në prag të zhdukjes. Ajo që krijon njeriu, natyra mund ta shpërbëjë, por pasojat do t’i vuajë ai që ka tentuar të jetë më i fuqishëm se ajo.
Pikërisht për këto arsye, ne përballemi me shumë sëmundje dhe kërkojmë mënyra për t'i luftuar ato. E vetmja zgjidhje është të kërkojmë përgjigjet në natyrë. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë drejtësi mjedisore dhe të shmangim katastrofën ekologjike që na kanoset.
Autor: Nevena Vuloviq – master inxhinier i mbrojtjes së mjedisit
Lajmet e fundit