15.04.2025. » 09:49 | ACDC
Kampi i dytë rinor në kuadër të projektit “Fuqizimi i të rinjve përmes shkollave dhe shoqërive gjithëpërfshirëse (YESS)” u mbajt në Graçanicë nga 11 deri më 13 prill 2025. Pas një fillimi të suksesshëm në Prizren, kampi në Graçanicë mblodhi një grup të ri pjesëmarrësish, të cilët përmes një programi treditor vazhduan misionin e kampeve tona – fuqizimi i të rinjve përmes të mësuarit të gjuhëve, dialogut ndërkulturor dhe të nxënit përmes përvojës së përbashkët.
Kampet mbledhin të rinj nga komunitete të ndryshme në gjithë Kosovën dhe u ofrojnë atyre hapësirë për njohje të ndërsjellë, zhvillim të aftësive komunikuese, mësim të gjuhës shqipe dhe serbe, si dhe ndërtim të besimit dhe mirëkuptimit.
Një nga aktivitetet më të veçanta gjatë kampit në Graçanicë ishte vizita në Parkun tematik Mesjetar “Ordo Draconis.” Pjesëmarrësit patën mundësinë të udhëtojnë në kohë dhe të përjetojnë atmosferën e mesjetës përmes një programi autentik dhe edukativ, i cili përfshinte vizitë në muze me replika të armëve, parzmorëve dhe veshjeve mesjetare, demonstrim të zanatit të farkëtarit dhe provim në shigjetari – një aktivitet që të gjithë e shijuan shumë. Përveç vlerës edukative, kjo vizitë ndihmoi në forcimin e lidhjeve përmes përvojave të përbashkëta dhe punës në ekip.
Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për energjinë, përkushtimin dhe hapjen që treguan gjatë kampit. Pjesëmarrja e tyre dëshmon edhe një herë se të rinjtë kanë një rol kyç në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe më kohezive.
Ky program është pjesë e projektit “Fuqizimi i të rinjve përmes shkollave dhe shoqërive gjithëpërfshirëse (YESS),” i financuar nga Fondi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Paqes dhe i zbatuar nga UNICEF dhe IOM Kosova.
Lajmet e fundit