17.07.2024. » 09:08 | ACDC


Deklaratë e Shoqërisë Civile lidhur me Emërimin e Noterëve në Kosovë



Ne, përfaqësuesit e poshtëshënuar të organizatave të shoqërisë civile nga komuniteti serb në Kosovë, shprehim shqetësim dhe protestë serioze lidhur me vendimin e Ministres së Drejtësisë së Kosovës për emërimin e noterëve, që nuk ka përfshirë asnjë noter nga komuniteti serb në mesin e 100 noterëve të emëruar.

deklarate-e-shoqerise-civile-lidhur-me-emerimin-e-notereve-ne-kosove
FOTO: ACDC

Ne, përfaqësuesit e poshtëshënuar të organizatave të shoqërisë civile nga komuniteti serb në Kosovë, shprehim shqetësim dhe protestë serioze lidhur me vendimin e Ministres së Drejtësisë së Kosovës për emërimin e noterëve, që nuk ka përfshirë asnjë noter nga komuniteti serb në mesin e 100 noterëve të emëruar.

Lidhur me këtë vendim, theksojmë se aktualisht në Kosovë janë dhjetë avokat serb të cilët e kanë dhënë provimin e noterisë në Kosovë, dhe pesë prej tyre kanë aplikuar për pozita noteriale në disa komuna të Kosovës. Është tejet shqetësues fakti se asnjëri prej tyre nuk është emëruar në pozitën e noterit në asnjë komunë të Kosovës. Veçanërisht shqetësues është fakti se një kandidat nga komuniteti serb i cili ka aplikuar për pozita në dy komuna në veri të Kosovës nuk është emëruar, pavarësisht se i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe ka përvojë të konsiderueshme juridike. Përveç kësaj, është e pashpjegueshme që, përkundër disa kandidatëve nga komuniteti serb me përvojë të gjerë juridike, askush nga ky komunitet nuk është emëruar në pozitën e noterit në Graçanicë, komunë me shumicë serbe; në vend të kësaj, u emërua një kandidat nga komuniteti shqiptar. E njëjta situatë është edhe në komunat e tjera të përfshira në konkurs. Lidhur me këtë, theksojmë se në asnjë moment nuk kontestojmë kualifikimet e kandidatëve nga komuniteti shqiptar, por nënvizojmë pasojat që mund të lindin nga përjashtimi i kandidatëve nga komuniteti serb në vendimin e sipërpërmendur dhe mesazhi negativ që përçon tek komunitetit serb në Kosovë.

Paralajmërojmë se vendimi i përmendur i Ministres së Drejtësisë së Kosovës do të sjellë probleme të reja në drejtim të sigurimit të të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë në Kosovë, duke pasur parasysh se nga përvoja, ne e dimë se noterët shqiptarë ofrojnë shërbime edhe në gjuhën shqipe në rastet kur palët janë ekskluzivisht serbe. Edhe pse kjo lejohet me Ligjin për Noterinë (neni 32.1), një praktikë e tillë kufizon të drejtën e serbëve në Kosovë për të marrë shërbime në gjuhën serbe, e cila është gjuhë zyrtare në Kosovë sipas Kushtetutës së Kosovës (neni 5.1). Po ashtu, vendimi i lartpërmendur, për fat të keq, mund të interpretohet si mesazh se serbët dhe pjesëtarët e komuniteteve tjera joshumicë nuk janë të mirëpritur në institucionet dhe profesionet liberale në Kosovë, madje edhe ata që në rrethanat ekzistuese kanë treguar dëshirë për të ofruar shërbime për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Nisur nga sa më sipër, i bëjmë thirrje Ministres së Drejtësisë së Kosovës që të shqyrtojë kërkesën tonë për rishikimin e vendimit për emërimin e noterëve në komunat me shumicë serbe. Ne gjithashtu kërkojmë nga të gjitha misionet ndërkombëtare dhe përfaqësitë diplomatike në Kosovë, si dhe organizatat e shoqërisë civile nga komuniteti shumicë në Kosovë, të reagojnë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve dhe rritjen e mosbesimit të komuniteteve joshumicë ndaj institucioneve të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës. Ne presim që të gjithë akterët të veprojnë me mirëbesim dhe të demonstrojnë përkushtimin e tyre të shpallur për krijimin dhe mbajtjen e një shoqërie multietnike në Kosovë.

Nënshkruesit:

  • Advocacy Center for Democratic Culrure ACDC
  • New Social Initiative NSI
  • NGO Aktiv
  • Communication for Social Development - CSD
  • Institute for Territorial Economic Development  - InTER
  • Omladinska Parteska Aktivnost – OPA
  • Association of Business Women "Avenija"