07.03.2025. » 12:47 | ACDC
Arrestimi i rastësishëm i tre personave të mitur të nacionalitetit serb nga Policia e Kosovës mbrëmë, pa ndonjë shkak të justifikueshëm, pa informuar prindërit dhe duke përdorur forcë të tepruar, tregon qartë joprofesionalizëm dhe atë më shqetësuese, një anshmëri të fortë etnike brenda Policisë së Kosovës.
Në të njëjtin rast, sipas njërit prej të miturve të ndaluar me përkatësi boshnjake, është shënuar gjithashtu trajtim çnjerëzor nga zyrtarët policorë të njësisë e policisë. Sipas dëshmisë së tij, ai ka përjetuar torturë nga policia, si nga zyrtarët me uniformë ashtu edhe nga individë me rroba civile në një dhomë pa kamera. Kjo është pjesë e një modeli të torturës policore, e ngjashme me atë që përjetoi Miloš Subotić tetorin e kaluar, gjë që tregon qartë se reagimi i autoriteteve përkatëse dhe institucioneve ndërkombëtare që bashkëpunojnë dhe e mbështesin financiarisht Policinë e Kosovës ka qenë i pamjaftueshëm.
Sipas Nenit 38 të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve (06/L-084), ndalohen të gjitha ndëshkimet fizike dhe masat diciplinore që dëmtojnë dinjitetin njerëzor të një fëmije, përfshirë dhunën fizike dhe mendore si dhe trajtimin degradues nga çdo person, përfshirë organet e zbatimit të ligjit.
Një fëmijë nuk duhet t’i nënshtrohet torturës, trajtimit çnjerëzor apo degradues, ndëshkimit fizik apo trajtimit të padenjë.
Për më tepër, sipas Nenit 4 të Ligjit për Drejtësinë për të Mitur (KODI Nr. 06/L-006), privimi nga liria i të miturve duhet të jetë masa e fundit dhe të kufizohet në periudhën më të shkurtër të mundshme. Të miturit duhet të trajtohen në mënyrë njerëzore, me respekt për dinjitetin e tyre dhe të drejtën për ndihmë juridike.
Incidenti i mbrëmshëm nënvizon edhe më tutje situatën shqetësuese të sigurisë me të cilën përballen komunitetet serbe dhe pakicat e tjera në veri të Kosovës, duke konfirmuar se kërcënimi më i madh për sigurinë vie nga institucioni që supozohet ta garantojë atë – Policia e Kosovës.
Kjo do të thotë se, sipas veprimeve që kemi parë mbrëmë mbrëmë, çdo banor i veriut të Kosovës, pavarësisht moshës, gjinisë apo çdo faji të pretenduar, është i ekspozuar ndaj rrezikut të dhunës policore.
Një situatë e tillë e sigurisë në veri të Kosovës është e paqëndrueshme dhe kërkon jo vetëm veprim të menjëhershëm nga Inspektorati i Policisë së Kosovës dhe prokuroria kompetente, por edhe një nismë të fortë diplomatike nga BE-ja dhe SHBA-ja.
Qëllimi i kësaj nisme duhet të jetë rivendosja e përfaqësimit të garantuar kushtetues të përpjesëtuar etnikisht në policinë lokale, si dhe emërimi i një serbi të Kosovës në postin e komandantit rajonal të policisë, në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes së Brukselit.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje EULEX-it të rrisë monitorimin mbi Policinë e Kosovës në veri të Kosovës, veçanërisht në kontekstin e sjelljes me anshmëri etnike, për të dokumentuar dhe parandaluar keqpërdorimin e autoritetit.
Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se Policia e Kosovës, përmes interpretimit të njëanshëm të ligjit, do të pretendojë se ka vepruar në përputhje me protokollet ose do ta paraqesë rastin si një gabim, dhe se EULEX-i do të citojë mandatin e tij të kufizuar. Këto modele të mohimit të përgjegjësisë vetëm sa theksojnë më tej nevojën për të përshpejtuar përpjekjet diplomatike që do të siguronin garanci institucionale për mbrojtjen e komunitetit serb dhe pakicave, si dhe zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare të dakorduara.
E përgatitur dhe e nënshkruar nga:
Lajmet e fundit