25.01.2025. » 21:05 | DnV


Demokracia në Veprim: Gjysma e parë e fushatës - me shumë aktivitete por me gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes nga partitë politike 



Prishtinë, 25 janar 2025 - Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV), ka mbajtur konferencën e dytë për media lidhur me mbarëvajtjen e dy javëve të fushatës zgjedhore, mbulimin medial, gjuhën e urrejtjes dhe shpenzimet në rrjetet sociale.   

demokracia-ne-veprim-gjysma-e-pare-e-fushates-me-shume-aktivitete-por-me-gjuhe-nxitese-dhe-te-urrejtjes-nga-partite-politike
FOTO: DnV

Subjektet politike kanë vazhduar me intensitet të shtuar të aktiviteteve, në një ambient kryesisht të qetë, ndonëse shqetësues mbetet vazhdimi i përdorimit të gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes në aktivitetet e mbajtura nga subjektet politike.

Një nga zhvillimet kryesore të javës së dytë të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, është vendimi i Qeverisë së Serbisë për të shpërndarë, nga data 1 shkurt, 20 mijë dinarë (rreth 170 euro) për rreth 5 mijë serbë të papunë dhe ‘në vështirësi ekonomike’ në Kosovë. Ky veprim përbën ndërhyrje të jashtme në procesin zgjedhor të Kosovës dhe paraqet një përpjekje të hapur për të influencuar vullnetin qytetar të komunitetit serb, duke përdorur ndihmën financiare si mjet për të ndikuar në përcaktimin politik të votuesve.

Fushata në numra

Në tërësi, gjatë dy javëve të para, DnV ka monitoruar 377 tubime publike (160 në javën e parë, ndërsa 217 aktivitete tjera në javën e dytë) të subjekteve politike, në të gjitha komunat e vendit, duke përfshirë edhe ato me shumicë serbe. Me numrin më të madh të aktiviteteve po vazhdon të prijë LDK-ja me 109 aktivitete, ndjekur nga PDK-ja me 106 aktivitete, LVV-ja me 71 aktivitete, si dhe AAK-ja me 54 aktivitete. Aktivitete kanë mbajtur edhe subjektet tjera si Lista për Familjen, si dhe subjektet e komuniteteve tjera, si Lista Serbe, Za Slobodu Pravdu i Opstanak, Srpska Demokratija, IRDK, PRBKetj.

Subjektet politike i kanë koncentruar tubimet e tyre publike nëpër qendrat kryesore, përfshirë Prizrenin (45 aktivitete), Prishtina (27 aktivitete), Peja (23 aktivitete) dhe Gjilani (22 aktivitete).

Liria e grumbullimit

Përgjithësisht, aktivitetet janë organizuar në harmoni me dispozitat ligjore sa i përket paralajmërimit të tyre në KKZ. Megjithatë, në 14 raste, vëzhguesit e DNV-së kanë raportuar se aktivitetet e subjekteve politike, janë mbajtur pa u paralajmëruar në KKZ-të. 

Objektet publike vazhdojnë të mbesin lokacionet e preferuara për organizimin e aktiviteteve, me rreth 80% e aktiviteteve të organizuara nëpër palestra sportive, shtëpi kulture, shkolla, etj. Kurse, 20% e aktiviteteve tjera janë mbajtur në hapësira private si restorante apo salla tjera.

Pjesëmarrja qytetare në aktivitete

Interesimi qytetar për pjesëmarrje në fushatë vazhdon të jetë mesatar. Në këto 14 ditë të fushatës, 47% e aktiviteteve ishin me deri në 200 pjesëmarrës. Kurse, aktivitetet tjera, përfshirë ato të vogla me deri në 50pjesëmarrës (25% e aktiviteteve), 200 deri në 500 (15% e rasteve), si dhe tubimet e mëdha me mbi 500pjesëmarrës (13% e rasteve), ishin më pak të shprehura. 

Në anën tjetër, gjatë javës së dytë nuk është shënuar ndonjë rast i ri i pjesëmarrjes së organizuar të nxënësve; përtej 5 rasteve të evidentuara dhe raportuara gjatë javës së parë.

Përdorimi i gjuhës së drejtë dhe jo diskriminuese

Trendi i përdorimit të gjuhës dhe diskursit nxitës apo të urrejtjes në fushatë, ka vijuar edhe gjatë javës së dytë, pavarësisht gjobave të shqiptuara nga PZAP-ja pikërisht për raste të tilla. Deri më tani, në 62 aktivitete (rreth 20% e numrit të përgjithshëm të aktiviteteve) të monitoruara nga DnV-ja, janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës nxitëse apo të urrejtjes mes partive dhe kandidatëve të tyre. Në raport me numrin e aktiviteteve të mbajtura, prin Lëvizja Vetëvendosje - në rreth 25% e aktiviteteve të së cilës ka pasur përdorim të gjuhës nxitëse apo së urrejtjes, kryesisht mbi baza politike. Tutje, renditen LDK (20% të aktiviteteve), AAK (rreth 18% të aktiviteteve) dhe PDK (rreth 11% të aktiviteteve) .

Fushata në hapësirën online

DnV deri më tani ka monitoruar në total 679 kandidatë për deputetë, prej të cilëve 447 janë burra dhe 232 gra. Gjatë javës së dytë, janë identifikuar deri në 250 raste të i) gjuhës denigruese dhe nxitjes së urrejtjes, veçanërisht në videot e realizuara nga subjektet politike dhe të shpërndara në rrjetet sociale; ii) Gjuhës së urrejtjes dhe përçmuese nga palët e treta, të cilat shpesh shfaqen në komentet e postimeve të kandidatëve për deputet/e; iii) Lajmeve të pavërteta, të cilat krijojnë dezinformim dhe përhapin mesazhe që rrezikojnë integritetin e fushatës.

Monitorimi i 152 portaleve ka identifikuar gati 900 mijë komente te bëra në rrjete sociale, ku 6% e tyre përmbajnë gjuhë të urrejtjes. Këto pasqyrojnë përdorimin e gjuhës se urrejtjes në komunikimet politike, duke ndikuar negativisht në diskursin publik dhe demokratik të vendit.

Gratë që kandidojnë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë përballur me gjuhë të urrejtjes në hapësirat online. 7% e komenteve në rrjete sociale janë identifikuar si gjuhë urrejtjeje. Kandidatet më të sulmuara janë:

  • Besa Kabashi Ramaj – nga 38 Artikuj ku ajo përmendet, 16% përbëjnë gjuhë e urrejtjes;
  • Jeta Statovci– nga 29 Artikuj ku ajo përmendet, 16% përbëjnë gjuhë e urrejtjes;
  • Albulena Haxhiu – nga 167 Artikuj ku ajo përmendet, 10% përbëjnë gjuhë e urrejtjes;

Barazia gjinore dhe gjithëpërfshirja

Pjesëmarrja e grave mbetet tejet e ulët, ku në mbi gjysma e aktiviteteve (55%) ka pasur pjesëmarrje minimale të grave – me vetëm deri në 10% të pjesëmarrësve. Sa i përket pjesëmarrjes aktive në garë zgjedhore, ende vetëm 1/3 e fjalimeve janë mbajtur nga gratë.

Prezencë njëjtë e ulët e grave është shënuar edhe në media. Nga 606 kronika zgjedhore ku janë paraqitur kandidatët për deputetë, vetëm në 86 (14%) prej tyre kanë qenë të paraqitura gratë.  Edhe kohëzgjatja televizive në kronika zgjedhore ka qenë dukshëm më e ulët për gratë në krahasim me burrat. Vetëm 28 minuta apo 10% e hapësirës televizive u është dhënë grave. Ngjashëm, edhe debatet televizive janë dominuar nga pjesëmarrësit burra, me vetëm 44 (22%) kandidate gra që kanë marrë pjesë në 174 debate të mbajtura.

Sa i përket përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara, vetëm në 5 raste të njëjtit kanë mbajtur fjalime në aktivitetet e fushatës.

Mesazhet politike

Top temat dhe çështjet e trajtuara gjatë fjalimeve apo mesazheve politike mbeten arsimi, ekonomia, infrastruktura, mirëqenia sociale dhe shëndetësia. Parë sipas partive, vërehet orientim i ndryshëm i temave të fushatës, mes partisë në pushtet dhe atyre në opozitë. Derisa Lëvizja Vetëvendosje, tema bosht të fushatës ka vijuar t’i ketë veriun e vendit (53 raste) dhe mirëqenien sociale (50 raste), partitë opozitare janë fokusuar më shumë tek tema si arsimi, ekonomia, shëndetësia e infrastruktura. Të tri subjektet opozitare, LDK (87 raste), PDK (86 raste) dhe AAK (40 raste) e kanë pasur temë qendrore të fushatës së tyre arsimin. .Kryesisht mesazhet politike kanë vijuar të shpalosen nga liderët dhe persona të caktuar të partive, pa iu dhënë mundësia të gjithë kandidatëve që vinë nga komunat përkatëse ku po mbahen aktivitetet.

Liria e shprehjes dhe informimit

Në javën e dytë nuk kanë munguar prezantimet e partive dhe kandidatëve në media. Përjashtim relativ përbën ende Lëvizja Vetëvendosje, kandidatët e së cilës, ndonëse kanë marrë pjesë në disa debate e diskutime, kanë vijuar me bojkotin selektiv ndaj shumicës së mediumeve private.

Kronikat zgjedhore janë dominuar përgjithësisht nga subjektet e mëdha, ku 277 nga 345 kronikat e monitoruara janë për këto subjekte – PDK-171, LDK-169, Koalicioni AAK/NISMA-154 dhe LVV-151.

Sa i përket hapësirës brenda subjekteve, pjesa më e madhe i është kushtuar kandidatëve për kryeministër dhe liderëve të listave garuese, me gjithsej 414 minuta.

Parandalimi i keqpërdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale

Gjatë javës së dytë të fushatës zgjedhore, është shënuar trend pothuajse i njëjtë i keqpërdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale. Krahasuar me javën e parë, kur ishin  evidentuar gjithsej 18 raste, në javën e dytë janë shënuar 12 raste të tjera, duke e quar numrin e përgjithshëm në 31 raste. Në  13 aktivitete është vërejtur prani e veturave zyrtare, 15 prej të cilave të organizuara nga partitë opozitare (LDK dhe AAK), kryesisht në komunat ku ato qeverisin, ndërsa në 2 raste të nivelit qendror kur janë mbajtur aktivitete nga partia në pushtet. Po ashtu, në 18 aktivitete tjera janë vërejtur zyrtarë publikë si nëpunësit civil, personeli arsimor apo shëndetësorë, gjatë orarit të rregullt të punës. Në mesin e këtyre rasteve, 8 janë aktivitete të organizuara nga LDK, 7 të aktivitete organizuara nga PDK, si dhe nga 1 aktivitet të organizuara nga LVV dhe AAK, respektivisht.

Transparenca dhe Financimi i fushatës

Ndonëse të organizuara kryesisht në objekte publike, aktivitetet e subjekteve politike kanë përfshirë materiale, produkte e shërbime që kanë kosto. Shpërndarja e kartëvizitave (295 raste), broshurave (134 raste), rekuizitave (111 raste) si dhe shërbime si zërimi (219 raste), video xhirimi profesional (192 raste), ndriçimi dhe laserët (69 raste) janë disa prej produkteve dhe shërbimeve për të cilat partitë kanë shpenzuar më së shumti.

Po ashtu, në të paktën 7 raste ka pasur sjellje të organizuar të pjesëmarrësve me mjete të transportit si autobusë dhe minibusë. 

Shpenzimet për sponsorizim në Facebook: Në javën e dytë të fushatës DNV ka analizuar shpenzimet e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre në rrjetet sociale. Sipas të dhënave, del se ka pasur rritje të numrit të kandidatëve që kanë sponsorizuar postimet e tyre politike, në rreth 200 sosh gjithsej, me një rritje domethënëse edhe të mjeteve të shpenzuara. Vetëm në javën e dytë kemi evidentuar shpenzime për sponsorizim në vlerë prej pothuajse 40 mijë eurosh, në rreth 2 mijë shpenzime. Kjo përbën gati dyfishim të shpenzimeve krahasuar me javën e parë, kur ishin shpenzuar rreth 25 mijë euro, duke e çuar koston e përgjithshme të shpenzimeve në mbi 60 mijë euro për këto dy jave. Me shpenzime tashmë prin kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku me mbi 7,100 euro të shpenzuara gjatë këtyre dy javëve, pasuar nga kandidati i PDK-së Bedri Hamza, që ka shpenzuar gati 7 mijë euro. Në listën e top-pesë shpenzuesve më të mëdhenj përfshihet profili zyrtar i LDK-së, në kuadër të së cilit janë shpenzuar mbi 4,200 euro, kandidati i LDK-së Krenar Xhaferi me 4 mijë euro të shpenzuara, si dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, që ka shpenzuar mbi 3,600 euro.

Neutraliteti institucional

Institucionet e angazhuara në zgjedhje, kanë pasur dinamikë të shtuar të punës gjatë javës së fundit dhe në përgjithësi në këto dy javë të fushatës. 

PZAP-ja ka shqyrtuar dhe vendosur deri më tani në 45 raste që ndërlidhen me shkeljet e kodit të mirësjelljes gjatë fushatës, si dhe çështje tjera të ndërlidhura me personelin zgjedhor në nivel komunal. PZAP ka shqiptuar 30 vendime me gjobë në vlerë prej  155 mijë e 500 euro gjobë, kryesisht për shkak të gjuhës së përdorur në fushatë, përdorimit të resurseve publike në kundërshtim me ligjin, si dhe vendosjes së materialit zgjedhor(posterët) në hapësira publike në kundërshtim me ligjin. ndërsa ka hedhur poshtë 15 ankesa si të pabazuara.

Nga këto 30 vendime dënuese, subjekti politik PDK u dënua me 53 mijë e 500 euro gjoba, LDK me 45 mijë euro gjoba, AAK me 33 mijë e 500 euro gjoba, LVV me 18 mijë  euro gjoba, Koalicioni për Familjen me 4 mijë e 500 euro gjoba, si dhe  dhe subjekti politik PLE-Partia Liberale Egjiptiane që u dënua me 1000 euro gjobë.

Sa i përket sigurisë, policia është kujdesur për rreth 75% të aktivitete të fushatës.