03.04.2026. » 12:26 | ACDC
Shprehim shqetësim të thellë lidhur me ngjarjet në Patriarkanën e Pejës më 30 mars, gjatë një vizite të organizuar që, sipas informacioneve publike, është realizuar nga Muzeu i Pejës dhe Shkolla Teknike “Rifat Gjota” nga Peja. Sipas publikimeve dhe incizimeve të disponueshme në Facebook, gjatë vizitës përfaqësuesi i muzeut, brenda kompleksit manastiror, ka paraqitur pretendime të diskutueshme dhe historikisht të pabazuara mbi identitetin e këtij objekti të mbrojtur fetar dhe kulturor, përfshirë paraqitjen e tij si “patriarkanë shqiptare” dhe pretendime për një “transformim sistematik” të kishave të mëhershme në tempuj ortodoksë serbë. Janë regjistruar gjithashtu raste të sjelljes së papërshtatshme të disa vizitorëve, përfshirë shfaqjen e simboleve kombëtare brenda hapësirës së manastirit.
Paraqitja e interpretimeve historikisht të diskutueshme dhe etnikisht të ngarkuara para fëmijëve, e sidomos në një hapësirë sakrale të një objekti fetar aktiv, përbën një mungesë të rëndë respekti ndaj objektit fetar dhe funksionit të tij, si dhe një devijim nga standardet themelore të arsimit të përgjegjshëm, etikës profesionale dhe respektimit të lirisë së besimit.
Patriarkana e Pejës është një objekt i mbrojtur fetar dhe kulturor dhe monument i listuar në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s, si dhe një nga objektet më të rëndësishme fetare të Kishës Ortodokse Serbe, me status të qartë historik, juridik dhe ndërkombëtar. Çdo përpjekje për politizimin e saj, riinterpretimin arbitrar apo përvetësimin etnik përbën cenim të dinjitetit të Kishës Ortodokse Serbe, të drejtës për gëzim të qetë të trashëgimisë fetare dhe kulturore, si dhe të përpjekjeve për ndërtimin e besimit ndër-etnik.
Është veçanërisht shqetësuese që ky rast nuk duket si një incident i izoluar, por si pjesë e një modeli më të gjerë të interpretimeve të diskutueshme, provokimeve dhe përpjekjeve për ndryshimin e karakterit dhe identitetit të trashëgimisë së Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Fenomene të tilla rëndojnë më tej marrëdhëniet tashmë të ndjeshme ndër-etnike, thellojnë mosbesimin dhe e vështirësojnë ndërtimin e një klime shoqërore të bazuar në respekt të ndërsjellë, barazi dhe sundim të ligjit.
U bëjmë thirrje institucioneve kompetente, institucioneve arsimore dhe kulturore, si dhe aktorëve ndërkombëtarë që monitorojnë gjendjen e të drejtave të njeriut, lirive fetare dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, që pa vonesë të përcaktojnë të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe të ndërmarrin masa të përshtatshme për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme. Lokalitetet e mbrojtura fetare duhet të mbeten hapësira respekti, përgjegjësie profesionale dhe bashkëjetese paqësore, e jo vende për përhapjen e mesazheve historikisht kontroverse, etnikisht të ngarkuara dhe potencialisht politikisht të ndezshme.
Në një shoqëri demokratike dhe të sunduar nga ligji, mbrojtja e të drejtave fetare, dinjitetit të bashkësive fetare dhe trashëgimisë kulturore duhet të jetë e qëndrueshme, e paanshme dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare.
Nënshkruesit:
Lajmet e fundit