Seminari mblodhi përfaqësues të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe organizatave të shoqërisë civile, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe definimit të drejtimit të ardhshëm të veprimit në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut.
Dita e parë e seminarit filloi me raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit për një vit të punës së Forumit, duke theksuar rëndësinë e Forumit si shembull i bashkëpunimit të suksesshëm me shoqërinë civile dhe duke konfirmuar përkushtimin për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në periudhën e ardhshme.

Gjatë prezantimeve, u theksua rëndësia e përzgjedhjes së kujdesshme të temave që do të trajtohen përmes punës së Forumit, duke pasur parasysh sfidat aktuale në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me përmbledhjen e raporteve të mëparshme dhe rezultatet e takimeve lokale të mbajtura në mbarë Kosovën. U veçua se, në bashkëpunim me OJQ ACDC dhe Misionin e OSBE-së, janë organizuar me sukses 14 takime lokale, duke e afruar kështu Forumin më pranë qytetarëve dhe komuniteteve lokale.

Në ditën e dytë dhe të tretë të Forumit, pjesëmarrësit u fokusuan në përcaktimin e objektivave të reja dhe drejtimeve të veprimit për periudhën 2025–2026. Diskutimet ishin përmbajtësore dhe të orientuara drejt sfidave konkrete me të cilat përballen organizatat e shoqërisë civile, si dhe forcimit të rolit të tyre në ofrimin e shërbimeve dhe bashkëpunimin me institucionet.
