11.03.2026. » 11:54 | ACDC
Organizatat e shoqërisë civile nga veriu i Kosovës kanë vendosur të mos marrin pjesë në sesionin informues të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet.
Ne refuzojmë të bëhemi bashkëpjesëmarrës në një proces që nuk është konsultativ, por i reduktuar vetëm në informimin e pjesëmarrësve për vendime që tashmë janë marrë. Ftesa për këtë takim, e dërguar vetëm tre ditë para fillimit të plotë të zbatimit të këtyre ligjeve, nuk përbën ftesë për dialog, por një përpjekje për të legjitimuar në mënyrë retroaktive vendime tashmë të përfunduara që do të rrezikojnë drejtpërdrejt të drejtat themelore të mijëra qytetarëve.
Organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të marrë pjesë në konsultime në kohë dhe kuptimplota, me qëllim që të theksojnë pasojat serioze që këto ligje, të zbatuara në formën e tyre aktuale, do të kenë në jetën e përditshme të qytetarëve, si dhe për të ofruar zgjidhje konkrete. Një proces i tillë nuk është vendosur asnjëherë.
Pjesëmarrja në takim në këto rrethana do të nënkuptonte dhënien e legjitimitetit një procesi që nuk është as transparent dhe as gjithëpërfshirës. Organizatat e shoqërisë civile nuk do të marrin pjesë në procese që shërbejnë vetëm si formalitet, ndërkohë që po miratohen ligje të cilat, në thelb, thellojnë pasigurinë juridike dhe diskriminimin.
Ne u bëjmë thirrje institucioneve që fillimisht të shtyjnë zbatimin e këtyre ligjeve dhe më pas të vendosin një proces të mirëfilltë, transparent dhe gjithëpërfshirës konsultimi me komunitetin lokal përpara ndryshimeve të nevojshme të këtyre ligjeve, në mënyrë që ato të përputhen me kontekstin lokal.
Lajmet e fundit