08.12.2024. » 20:00
Dragisha Millenkoviq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë është ulur edhe sot më 08.11.2024 në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.
Dragisha Millenkoviq nga Prokuroria Speciale po akuzohet se në luftën e fundit, në vitin 1999, në cilësinë e personit zyrtar në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si krime lufte ndaj popullatës civile.
Në seancën e datës 08.11.2024 dëshminë para trupit gjykues e dha dëshmitari Bajrush Xhemajli.
Dëshmitari rrëfeu për përjetimet e tij që kishte pasur në Burgun e Lipjanit si i burgosur.
Dëshmitari Bajrush Xhemajli deklaroi se në Burgun e Lipjanit kishte qenë nga data 24 maj 1999 deri me 10 qershor 1999.
Dëshmitari Xhemajli gjatë rrëfimit të tij lidhur me atë çfarë kishte përjetuar në Burgun e Lipjanit deklaroi se prej në pritje kur kishte shkuar me të burgosurit e tjerë kishte pasur sjellje mizore nga gardianët ndaj tyre.
Dëshmitari deklaroi se kur kishin mbërritur në Burg të Lipjanit ishte krijuar një kordon nga policët dhe zyrtarët e burgut dhe mes atij kordoni ishte dashur të kalojnë të burgosurit.
“Përmes qatyne dy rreshtave mes tyre në hapësirë duhet me kalu të burgosurit edhe iu mëshon secili sa mundet, mjerë ai që rrëzohet se nuk të çon kurrkush”- deklaroi dëshmitari Bajrush Xhemajli.
Dëshmitari Xhemajli rrëfeu se maltretimet ndaj tyre kanë vazhduar edhe në korridore të burgut, ku policët kishin ushtruar dhunë ndaj tyre dhe i kishin sulmuar me shufra hekuri.
Dëshmitari deklaroi se në qeli kishin qenë 30 persona dhe se në burg nuk kishte pasur rregulla të burgut.
“Aty kemi qenë nja 30 veta në qeli, aty nuk ka pasë rregulla të burgut aty ke qenë rob, aty trajtimi ka qenë shumë i rëndë, fillimisht më së pari ke pas veç dy sfungjerë, ushqimi ka qenë 1/4 e bukës”- deklaroi dëshmitari Bajrush Xhemajli lidhur me atë se çfarë kishte përjetuar në Burgun e Lipjanit.
“Në fakt ne të uritur uleshim të uritur çoheshim… na binte të fikët, kur ngriteshim shpejt,… dhe një herë në ditë ke pas me shku në tualet ”- shtoi tutje dëshmitari Xhemajli.
I pyetur nga prokurori Atdhe Dema, se a e kishte parë të akuzuarin Dragisha Millenkoviq në Burgun e Lipjanit, dëshmitari deklaroi se nuk e kishte parë.
“Nuk më kujtohet, ndoshta ka mund me qenë aty, por unë nuk jam përqendruar kush ka qenë, aty edhe vëllai im me pas qenë nuk e kisha njoft sepse ka qenë gjendje tepër e rëndë”- tha dëshmitari Xhemajli.
Tutje, dëshmitari Xhemajli deklaroi se një i burgosur që ai kishte qëndruar me të i kishte treguar se i akuzuari Millenkoviq e kishte rrahur.
Dëshmitari lidhur me kordonin tha se kishte qenë diku rreth 30 metra dhe në atë kordon kishin qenë mbi 50 persona të uniformuar e ku pjesa dërmuese kishin qenë gardianë.
Dëshmitari Bajrush Xhemajli, i cili është edhe në cilësinë e të dëmtuarit nuk ka paraqitur kërkesë pasurore-juridike.
Në këtë seancë ishin paraparë të dëgjoheshin edhe dëshmitarë të tjerë, mirëpo në mungesë të tyre seanca e së premtes u ndërpre.
Seancat lidhur me këtë çështje penale janë caktuar në javët në vazhdim.
Trupi gjykues i cili po gjykon këtë çështje përbëhet nga Kujtim Krasniqi – kryetar, dhe anëtarët Rrahman Beqiri dhe Arben Hoti.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Millenkoviq po akuzohet se në luftën e fundit, në vitin 1999, në cilësinë e personit zyrtar në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si krime lufte ndaj popullatës civile.
Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 21.06.2023, e për arrestimin e tij ishte protestuar në Graçanicë.
Millenkoviq ishte sjellë më 22.06.2023 para Gjykatës së Prishtinës dhe ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit.
Millenkoviq akuzohet se pasi që janë transferuar të burgosurit nga Burgu i Dubravës në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit i ka detyruar të burgosurit të kalojnë përmes një kordoni dhe të njëjtit i kishte goditur me shkop, grushte dhe shqelma.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të burgosurit në mënyrë sistematike ishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore, duke u torturuar, maltretuar, kanosur me jetë e kështu duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe pasoja në shëndet.
Përveç kësaj, mbi të burgosurit sipas dosjes së Prokurorisë ishte ushtruar edhe dhunë psikike.
Këto veprime, Millenkoviq akuzohet se i ka kryer në bashkëpunim me tre zyrtarë të tjerë ndër të cilët ish-drejtori i Burgut të qarkut të Prishtinës, Lubomir Cimburoviq, si dhe gardianët Predrag Bradiq dhe Milivoje Iliq.
Sipas prokurorit Atdhe Dema, këto veprime janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare të Gjenevës.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Lajmet e fundit