21.10.2024. » 09:17
Milloroad Gjokoviq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë në periudhën 1998-1999, doli edhe një herë para gjykatës së Prishtinës për t`u ballafaqur me akuzat e Prokurorisë Speciale që rëndojnë ndaj tij.
Milloroad Gjokoviq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë në periudhën 1998-1999, doli edhe një herë para gjykatës së Prishtinës për t`u ballafaqur me akuzat e Prokurorisë Speciale që rëndojnë ndaj tij.
Gjokoviq akuzohet se gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, keqtrajtimit, arrestimit, torturës, trajtimit. në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.
Halit Gashi është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit më 18.10.2024 duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së të akuzuarit, Gjokoviq, pasi që në seancën e kaluar kishte dhënë versionin e tij në pyetjet e prokurorit special.
Gashi ndau detaje para gjykatës se si e kishte parë E. M. të vrarë nga një grup personash të uniformuar, por se nuk kishte mundur të identifikonte se kush ishte personi që kishte qëlluar viktimën.
Sipas dëshmitarit, E. M. ka qenë edhe me një person tjetër, por i njëjti ndonëse i plagosur dhe i rënë në të njëjtën kohë kur ka rënë E. M., i ka shpëtuar vdekjes duke u zvarritur.
Dëshmitari më tutje tregoi se pasi E. M. kishte rënë në tokë, tani të akuzuarit Millorad Gjokoviq dhe Momo Vukotiq i ishin afruar trupit të tij, por ai nuk kishte parë nëse ata kishin bërë ndonjë veprim konkret ndaj viktimës.
Dëshmitari u përgjigj se distanca mes tij dhe vendit ku kishte ndodhur ngjarja ishte rreth 60 metra.
“Jo, nuk e kam parë se janë në pyetje sekondat” – tha Gashi në sallën e gjyqit.
Gashi tha se tani kishte arritur ta identifikojë të akuzuarin, pasi që kur E. M. ra në tokë, personi i parë që iu afrua trupit të viktimës ishte tashmë i akuzuari.
Mbrojtja ngriti kundërshtime, duke vënë në dyshim vlefshmërinë e rrëfimit të dëshmitarit. Arsiq tha se deklaratat e Gashit ishin jokonsistente, duke theksuar se në një deklaratë të mëparshme në polici, Gashi përmendi mundësinë që tre persona të panjohur të jenë përfshirë në të shtënat. Megjithatë, gjatë seancës, Gashi tha se ishte i sigurt se vetëm Gjokoviqi dhe Vukotiqi ishin përgjegjës.
Dëshmitari tha se grupi prej 5 personash në të cilin kishte parë edhe të akuzuarit ishin të veshur me uniforma me logon e shqiponjës së bardhë, ndërsa ai u përgjigj se ngjyra mund të ishte blu. Siç tha mbrojtja, i njëjti dëshmitar dëshmoi më herët se uniformat ishin të gjelbra.
“Ai ka veshur uniformat blu paraushtarake me shqiponja të bardha”- tha dëshmitari.
Avokati mbrojtës Vasilije Arsiq këmbënguli që llogaria e Gashit duhet të shqyrtohet më tej. Ai propozoi që Gashi dhe një dëshmitar tjetër kyç, Ferat Morina, të merren në pyetje së bashku për të zgjidhur kontradiktat në deklaratat e tyre. Sipas Arsiqit, mbrojtja kishte të drejtë të përballej me këto mospërputhje për të siguruar një gjykim të drejtë. Megjithatë, prokuroria e kundërshtoi kërkesën, me arsyetimin se nuk kishte bazë ligjore për të marrë në pyetje dëshmitarët në këtë mënyrë dhe se një ballafaqim i tillë vetëm do të vononte procedurën.
Gjykatësi e refuzoi kërkesën e Arsiqit, duke përmendur nenin 345 të kodit ligjor, i cili lejon ballafaqimin mes të bashkëpandehurve, por jo dëshmitarëve.
Gjatë seancës dëgjimore, Gashi u pyet për ngjarjet pas vdekjes së E. M.. Ai tregoi se si mësoi për herë të parë vdekjen e E. M. pasi u kthye nga Shqipëria 5 deri në 6 javë më vonë. Ai gjithashtu përmendi bisedën me XH. M., vëllain e madh të E, pas funeralit dhe zbulimin e identitetit të vrasësve të dyshuar. Dhe tregoi shtëpinë e Momo Vukotiqit si vrasës. Ndryshe, gjatë së njëjtës seancë ai ka deklaruar se kishte qëndruar vetëm 3 javë në Shqipëri dhe më pas kishte marrë vesh për vdekjen e E. M.. Gashi pranoi se asnjëherë nuk kishte biseduar për vrasjen me Ferat Morinën, një fakt që mbrojtja e konsideroi të dyshimtë. Avokati Vasiq tha se prokuroria duhet të lexojë deklaratën e Ferat Morinës i cili ka dhënë dëshminë e tij për këtë ngjarje që do të zbulojë edhe mospërputhjen në verifikimin e fakteve.
Avokati mbrojtës Dejan Vasiq vuri në dyshim kujtesën e Gashit për ngjarjen, veçanërisht në lidhje me praninë e individëve të tjerë pranë vendit të ngjarjes. Në deklaratat e mëparshme, Gashi kishte përmendur se tre persona të panjohur ishin të pranishëm përkrah Gjokoviqit dhe Vukotiqit. Mirëpo, gjatë seancës, ai pohoi se këta tre persona nuk arritën kurrë në vendin ku ranë E. M. dhe A.
Avokati Vaslije Arsiq kërkoi nga dëshmitari që t’i tregojë gjykatës nëse ka qenë ndonjëherë i dënuar për ndonjë vepër penale në periudhën e pasluftës.
“Jo, nuk kam qenë asnjëherë i dënuar”- është përgjigjur dëshmitari në pyetjen e avokatit.
Seanca përfundoi me qëndrimet e palës mbrojtëse dhe prokurorisë. Mbrojtja vazhdoi të argumentojë se deklaratat kontradiktore të Gashit hodhën dyshime në rastin e prokurorisë, kryesisht rreth tre burrave të tjerë jokonsistent, të cilët vranë E. M. dhe ngjyrën e uniformës që i akuzuari kishte veshur gjatë asaj ngjarje. Siç është paraqitur nga mbrojtja, në deklaratën e datës 8 qershor 2022, dëshmitari deklaroi se i akuzuari kishte veshur uniformë ushtarake të gjelbër, ndërsa sot kishte deklaruar se uniforma ishte paraushtarake, ngjyrë blu me shqiponjë të bardhë në të.
Lidhur me akuzat që prokuroria i vë në barrë i akuzuari nuk kishte pranuar fajësinë.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Sipas dosjes së prokurorisë, i pandehuri gjatë kohës së luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.
Sipas aktakuzës i njëjti tutje kishte dëbuar dhe deportuar dhjetëra civilë shqiptarë si dhe kishte aplikuar masat e mbajtjes në kushte të skllavërisë. Personat që kanë qenë të dëmtuar nga këto veprime të të pandehurit kanë qenë shqiptarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në konflikt.
Tutje sipas aktakuzës i pandehuri në mëngjesin e majit të vitit 1999, duke marrë pjesë së bashku me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, fillimisht e kishin rrethuar fshatin Ozdrim, e pastaj kishin filluar një ofensive ushtarake-policore.
Në aktakuzë thuhet se fshati ishte rrethuar e më pas ishte sulmuar nga tri drejtime nga forcat ushtarake-policore serbe. Nga këto veprime kishin mbetur të vrarë gjashtë persona, të cilët ishin civilë të nacionalitetit shqiptar e tre të tjerë kishin mbetur të plagosur. Tre të fundit pas plagosjes ishin dërguar fillimisht në Spitalin e Pejës e më pas sipas aktakuzës ishin ekzekutuar dhe ishin varrosur në fshatin Lutogllavë.
Gjithnjë sipas aktakuzës pesë persona të tjerë gjatë kësaj ofensive ishin vrarë por trupat e tyre asnjëherë nuk janë gjetur dhe sot figurojnë në listën e personave të zhdukur.
Tutje në aktakuzë thuhet se në po të njëjtin aksion ushtarako-policor, ku bën pjesë edhe i pandehuri, rreth 40 persona u arrestuan të cilët u dërguan në një garazh të quajtur “ Shupa e Shemit”, vend ky i cili gjendej pranë nënstacionit policor në Ozdrim dhe aty të njëjtit ishin mbajtur për rreth 3 ditë në kushte çnjerëzore në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare.
Në aktakuzë thuhet se të njëjtit ishin privuar nga ushqimi dhe uji i pijshëm, duke i torturuar fizikisht të arrestuarit, e ku pas tri ditëve, vetëm 12 prej tyre ishin liruar. Kurse për 28 prej tyre, i kishin ndarë në tri grupe e kishin transportuar në Pejë, në një shtëpi private ku kishte qenë e vendosur komanda e ushtrisë serbe.
Dosja e prokurorisë shpjegon se të njëjtit ishin marrë në pyetje duke u torturuar e keqtrajtuar në mënyre mizore deri në momentin kur i kishin dërguar në burgun e Pejës, e nga aty i kishin dërguar në burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar tortura dhe deri sa në fund ishin liruar pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.
Lajmet e fundit