27.12.2024. » 09:12
Seanca e së martës, më 24.12.2024, e paraparë të mbahej ndaj të akuzuarit për “krime lufte” në rajonin e Pejës, Millorad Gjokoviq është anuluar.
Millorad Gjokoviq nga Prokuroria Speciale po akuzohet se gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, keqtrajtimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore e çnjerëzore.
Nga zyra e gjyqtarit, Valon Kurtaj kanë informuar se arsyeja e anulimit të kësaj seance është mungesa e dëshmitarit, i cili ka qenë i paraparë të dëgjohej sot.
Tutje, të njëjtit kanë thënë se dëshmitari nuk ka mundur të jetë i pranishëm në seancën e sotme, më 24.12.2014, për shkak të problemeve shëndetësore.
Seancat e radhës, për këtë çështje penale, janë të caktuara për në muajin janar 2025.
Kjo çështje penale po trajtohet në Departamentin Special në përbërje të Trupit Gjykues: Valon Kurtaj, kryetar dhe dy anëtarët, Arben Hoti e Vesel Ismajli.
Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?
Sipas Dosjes së Prokurorisë, i pandehuri gjatë kohës së luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth – në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare – kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore e çnjerëzore.
Sipas aktakuzës i njëjti tutje kishte dëbuar e deportuar dhjetëra civilë shqiptarë dhe kishte aplikuar masat e mbajtjes në kushte të skllavërisë. Personat, të cilët kanë qenë të dëmtuar nga këto veprime të të pandehurit, kanë qenë shqiptarë të cilët nuk kanë marrë pjesë në konflikt.
Tutje – sipas aktakuzës – i pandehuri në mëngjesin e majit të vitit 1999, duke marrë pjesë së bashku me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, e kishin rrethuar fillimisht fshatin Ozdrim, e pastaj kishin filluar një ofensivë ushtarake-policore.
Në aktakuzë thuhet se fshati ishte rrethuar, e më pas ishte sulmuar nga tri drejtime nga forcat ushtarake-policore serbe. Nga këto veprime kishin mbetur të vrarë gjashtë persona, të cilët ishin civilë të nacionalitetit shqiptar e tre të tjerë kishin mbetur të plagosur. Tre të fundit, pas plagosjes, ishin dërguar fillimisht në Spitalin e Pejës e më pas – sipas aktakuzës – ishin ekzekutuar e ishin varrosur në fshatin Lutogllavë.
Gjithnjë – sipas aktakuzës – pesë persona të tjerë gjatë kësaj ofensive ishin vrarë, por trupat e tyre asnjëherë nuk janë gjetur e sot figurojnë në listën e personave të pagjetur.
Tutje, në aktakuzë thuhet se në po të njëjtin aksion ushtarako-policor, ku bën pjesë edhe i pandehuri, rreth 40 persona u arrestuan, të cilët u dërguan në një garazh të quajtur “Shupa e Shemit” – vend ky i cili gjendej pranë Nënstacionit policor në Ozdrim dhe aty të njëjtit ishin mbajtur për rreth 3 ditë në kushte çnjerëzore – në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare.
Në aktakuzë thuhet se të njëjtit ishin privuar nga ushqimi e uji i pijshëm, duke i torturuar fizikisht të arrestuarit, e ku pas tri ditëve, vetëm 12 prej tyre ishin liruar. Kurse, për 28 prej tyre tuhet se i kishin ndarë në tri grupe e i kishin transportuar në Pejë, në një shtëpi private ku kishte qenë e vendosur komanda e ushtrisë serbe.
Dosja e Prokurorisë shpjegon se të njëjtit ishin marrë në pyetje duke u torturuar e duke u keqtrajtuar në mënyre mizore, deri në momentin kur i kishin dërguar në burgun e Pejës. E, nga aty i kishin dërguar në burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar tortura derisa në fund ishin liruar pas përfundimit të luftës, me ndihmën e Kryqit të Kuq.
Për masakrat e krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit, të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998-1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar ish-udhëheqësit më të lartë politikë e ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”.
Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave ishte dënuar me 15 vjet burg, për “krime kundër njerëzimit”.
Lajmet e fundit