05.09.2024. » 14:02
Seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte, Milloroad Gjokoviq, është shtyrë. Në fillim të seancës mbrojtësi i të akuzuarit Milloroad Gjokoviq, avokati Vasilije Arsiq bëri të ditur se nuk ishte pajisur me disa shkresa, andaj propozoi që seanca e sotme të shtyhet.
Seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte, Milloroad Gjokoviq, është shtyrë. Në fillim të seancës mbrojtësi i të akuzuarit Milloroad Gjokoviq, avokati Vasilije Arsiq bëri të ditur se nuk ishte pajisur me disa shkresa, andaj propozoi që seanca e sotme të shtyhet.
Mbrojtja kërkoi përkthimin e procesverbalit të seancës së kaluar, si dhe të deklaratave të dëshmitarëve nga ajo seancë, me pretendimin se pa këto dokumente nuk kishin mundësi ta pyesin dëshmitarin. Ndër dokumentet e kërkuara, përveç procesverbalit dhe deklaratave të dëshmitarëve, mbrojtja kërkoi edhe deklaratën e të dëmtuarit në këtë rast Ferit Morina, e cila nuk ishte siguruar për mbrojtjen as në gjuhën shqipe.
Dëshmia e dëshmitarit Halit Gashit e dhënë në seancën e kaluar nuk ishte përkthyer për mbrojtjen dhe avokati Arsiq deklaroi se është e pamundur të merret në pyetje dëshmitari pa e ditur se çfarë është thënë më parë.
Këtë propozim e aprovoi trupi gjykues në përbërje me Valon Kurtaj – kryetar dhe dy anëtarët, Vesel Ismajli dhe Arben Hoti.
Trupi gjykues e shtyu seancën e sotme dhe njoftoi se deri në fund të ditës do të tentojë të sigurojë dokumentacionin e kërkuar në gjuhën serbe. Nëse kjo ndodh, seanca e radhës do të mbahet nesër më 06.09.2024 në orën 09:30.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, e cila ishte mbajtur më datë 20.07.2023 i pandehuri ishte deklaruar lidhur me akuzat e Prokurorisë që rëndojnë ndaj tij.
“Nuk jam fajtor”- kishte qenë përgjigjja e të akuzuarit në pyetjen e gjyqtarit Valon Kurtaj në seancën e datës 20.07.2023.
Prokuror i kësaj çështje është Ilir Morina.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Sipas dosjes së prokurorisë, i pandehuri gjatë kohës së luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.
Sipas aktakuzës i njëjti tutje kishte dëbuar dhe deportuar dhjetëra civilë shqiptarë si dhe kishte aplikuar masat e mbajtjes në kushte të skllavërisë. Personat që kanë qenë të dëmtuar nga këto veprime të të pandehurit kanë qenë shqiptarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në konflikt.
Tutje sipas aktakuzës i pandehuri në mëngjesin e majit të vitit 1999, duke marrë pjesë së bashku me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, fillimisht e kishin rrethuar fshatin Ozdrim, e pastaj kishin filluar një ofensive ushtarake-policore.
Në aktakuzë thuhet se fshati ishte rrethuar e më pas ishte sulmuar nga tri drejtime nga forcat ushtarake-policore serbe. Nga këto veprime kishin mbetur të vrarë gjashtë persona, të cilët ishin civilë të nacionalitetit shqiptar e tre të tjerë kishin mbetur të plagosur. Tre të fundit pas plagosjes ishin dërguar fillimisht në Spitalin e Pejës e më pas sipas aktakuzës ishin ekzekutuar dhe ishin varrosur në fshatin Lutogllavë.
Gjithnjë sipas aktakuzës pesë persona të tjerë gjatë kësaj ofensive ishin vrarë por trupat e tyre asnjëherë nuk janë gjetur dhe sot figurojnë në listën e personave të zhdukur.
Tutje në aktakuzë thuhet se në po të njëjtin aksion ushtarako-policor, ku bën pjesë edhe i pandehuri, rreth 40 persona u arrestuan të cilët u dërguan në një garazh të quajtur “ Shupa e Shemit”, vend ky i cili gjendej pranë nënstacionit policor në Ozdrim dhe aty të njëjtit ishin mbajtur për rreth 3 ditë në kushte çnjerëzore në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare.
Në aktakuzë thuhet se të njëjtit ishin privuar nga ushqimi dhe uji i pijshëm, duke i torturuar fizikisht të arrestuarit, e ku pas tri ditëve, vetëm 12 prej tyre ishin liruar. Kurse për 28 prej tyre, i kishin ndarë në tri grupe e kishin transportuar në Pejë, në një shtëpi private ku kishte qenë e vendosur komanda e ushtrisë serbe.
Dosja e prokurorisë shpjegon se të njëjtit ishin marrë në pyetje duke u torturuar e keqtrajtuar në mënyre mizore deri në momentin kur i kishin dërguar në burgun e Pejës, e nga aty i kishin dërguar në burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar tortura dhe deri sa në fund ishin liruar pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq.
https://kallxo.com/lajm/shtyhet-seanca-ndaj-te-akuzuarit-per-krime-lufte-ne-rajonin-e-pejes/
Lajmet e fundit