10.12.2023. » 17:18 | ACDC


Debat për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë



Në vigjilie të Ditës së të Drejtave të Njeriut, OJQ ACDC dhe OJQ AKTIV organizuan debatin mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë për të theksuar sfidat, çështjet dhe shkeljet me të cilat përballen komunitetet joshumicë.

debat-per-mbrojtjen-e-te-drejtave-te-njeriut-ne-kosove
FOTO: ACDC

Në vigjilie të Ditës së të Drejtave të Njeriut, OJQ ACDC dhe OJQ AKTIV organizuan debatin mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë për të theksuar sfidat, çështjet dhe shkeljet me të cilat përballen komunitetet joshumicë. Panelistë ishin z. Sërgjan Sentiq, zëvendës Avokat i Popullit dhe z. Budimir Niçiq, Drejtor i Qendrës Mediale dhe programit "Slobodno Srpski" në Çagllavicë.

Përmes një debati interaktiv që përfshinte komunitetin lokal, gazetarët dhe përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit, qëllimi ishte adresimi i problemeve specifike, promovimi i mirëkuptimit dhe nxitja e bashkëpunimit për përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në katër komunat në veri të Kosovës.

Zëvendës Avokati i Popullit, Sërgjan Sentiq prezantoi kompetencat e Institucionit të Avokatit të Popullit dhe theksoi se si institucioni reagon ndaj situatave që përfshijnë shkelje të të drejtave të njeriut. Një çështje kyçe lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut për të cilën ai shprehu shqetësim ishte problemi i verifikimit të diplomës në kuadër të punësimit.

Budimir Niçiq më tej vuri në pah mangësitë e përditshme në sistemin e të drejtave të njeriut, duke u ndalur në çështjet me të cilat ballafaqohen punonjësit e medias. “Ka pesë-gjashtë vjet në Kuvendin e Kosovës, organin më të lartë legjislativ, nuk ka përkthim kur nuk ka prezent deputetë serb, gazetarët dhe qytetarët që shikojnë në televizion, të cilët dëshirojnë të dëgjojnë, nuk e kanë atë mundësi sepse përkthimi mungon”, ka thënë Niçiq.

z. Sentiq theksoi se ata kanë dorëzuar ankesa, rekomandime, vendime dhe raporte tek të gjitha autoritetet në lidhje me sjelljen e duhur sa i përket gjuhës. Ai posaçërisht theksoi ekzistimin e një dispozite në Kushtetutën e Kosovës që përcakton dinjitetin e njeriut si të pacenueshëm dhe burim të të gjitha të drejtave të njeriut.

Po ashtu, ai përmendi se gjatë vitit paraprak në këtë zyrë janë dorëzuar 207 ankesa, prej të cilave 70% janë ende në pritje. Ai gjithashtu theksoi se integrimi dhe gjithëpërfshirja nuk janë vetëm çështje të të drejtave të njeriut, por mund të shërbejnë edhe si katalizator në marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe ndëretnike, të cilat fatkeqësisht mungojnë në Kosovë.

Gjatë debatit u diskutuan shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në veri të Kosovës, duke përfshirë praninë e njësive speciale, çështjet e sigurisë, ndalimin e hyrjes së shtypit serb në Kosovë dhe shumë çështje të tjera me të cilat ballafaqohen komunitetet joshumicë. U vu në pah edhe çështja e arrestimeve pa respektim të prezumimit të pafajësisë. Arrestime të tilla konsiderohen si shkelje të rënda të të drejtave civile dhe gjatë debatit u theksua nevoja e respektimit të parimeve bazë ligjore dhe të drejtave individuale gjatë proceseve gjyqësore.

Në debat po ashtu u theksuan sfida të shumta lidhur me të drejtat e njeriut në Kosovë, dhe pjesëmarrja e akterëve të ndryshëm nënvizon nevojën për përpjekje të vazhdueshme në arritjen dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave. Bashkëpunimi ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile luan një rol vendimtar në avokimin për të drejtat e njeriut, adresimin e ankesave dhe përmirësimin e llogaridhënies.