18.12.2025. » 11:01 | ACDC


Komunikatë për medie - Mëso shqip ose hesht!



Pas hapjes ceremoniale të urës së re mbi lumin Ibër në Mitrovicë, Kryeministri në mandatin teknik, Albin Kurti, dhe anëtarët e qeverisë së tij, i'u drejtuan gazetarëve ekskluzivisht në gjuhën shqipe. Në këtë aktivitet, i cili u paraqit si simbol i bashkimit dhe bashkëpunimit midis komuniteteve, dhe në thelb përfaqësonte një fushatë zyrtare, nuk u sigurua përkthim në serbisht, edhe pse ishte një aktivitet publik i institucioneve zyrtare.

komunikate-per-medie-meso-shqip-ose-hesht
FOTO: ACDC

Kur u pyet nga një gazetare e portalit KoSSev pse flet vetëm në gjuhën shqipe, kryeministri në mandatin teknik, Kurti, u përgjigj në serbisht se "nuk do të ishte keq nëse do të bënit edhe një pyetje në shqip, në mënyrë që të jemi të barabartë", duke shtuar se "nuk është kurrë vonë për të mësuar një gjuhë tjetër".

Një deklaratë e tillë, e shqiptuar në një kontekst në të cilin nuk u sigurua përkthimi, përfaqëson një formë të neglizhencës institucionale dhe tregon një keqkuptim të konceptit të barazisë. Zhvendosja e përgjegjësisë për komunikim me përfaqësuesit e institucioneve zyrtare te gazetarët dhe qytetarët në vend të institucioneve, të cilat janë të detyruara të respektojnë ligjet dhe të ofrojnë qasje të barabartë në informacion, dërgon mesazhin e gabuar në lidhje me përfshirjen dhe respektin për diversitetin.

Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e përcaktojnë qartë se gjuha shqipe dhe serbe janë gjuhë zyrtare të barabarta në Kosovë. Respektimi i këtij parimi nuk është çështje vullneti të mirë, por një detyrim ligjor i institucioneve. 

Mosofrimi i përkthimit në një ngjarje si kjo, veçanërisht në Mitrovicë, një vend që simbolizon sfidat e bashkëjetesës, jo vetëm që shkel ligjin, por edhe minon përpjekjet për të ndërtuar besim midis komuniteteve.

Barazia nuk do të thotë që qytetarët duhet të mësojnë gjuhën e komunitetit shumicë në mënyrë që të jenë në gjendje të bëjnë një pyetje. Barazia do të thotë që institucionet sigurojnë në mënyrë aktive kushtet që çdo qytetar të shprehet dhe të dëgjohet në gjuhën e tij. Retorika që relativizon detyrimin institucional të dygjuhësisë nuk kontribuon në pajtim dhe mirëkuptim të ndërsjellë, por thellon mosbesimin dhe ndjenjën e përjashtimit midis komuniteteve joshqiptare.

Incidente të tilla nuk janë dështime organizimi, por tregojnë një pandjeshmëri të thellë institucionale dhe arrogancë politike ndaj komuniteteve që luftojnë çdo ditë që gjuha, identiteti dhe zëri i tyre të respektohen në mënyrë të barabartë. 

Në vend që të ndërtojnë ura besimi, këto veprime dhe mesazhe thellojnë përçarjet që institucionet pretendojnë se i kapërcejnë. Institucionet që përpiqen për besim duhet të demonstrojnë respekt për çdo qytetar, jo vetëm përmes fjalëve, por edhe përmes zbatimit të vazhdueshëm të ligjit dhe praktikës së qasjes të barabartë.