18.06.2025. » 09:47 | ACDC


LETËR E HAPUR NGA ORGANIZATAT JOQEVERITARE LIDHUR ME PRAKTIKËN SHQETËSUESE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË KOSOVËS



Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës, Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Zyrës së BE-së në Prishtinë, Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Komisionerit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare (HCNM), UNMIK-ut, si dhe organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut (Civil Rights Defenders)

leter-e-hapur-nga-organizatat-joqeveritare-lidhur-me-praktiken-shqetesuese-te-ministrise-se-puneve-te-brendshme-te-kosoves
FOTO: ACDC

Të nderuar,

Organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në kuadër të komunitetit serb në Kosovë, ju drejtohen me shqetësim të thellë për shkak të veprimeve të fundit të ndërmarra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, e cila ka zbatuar një sërë deportimesh të qytetarëve të Kosovës me përkatësi etnike serbe, të cilët kanë banim të përhershëm në Kosovë. Në të gjitha rastet, bëhet fjalë për persona me shtetësi të dyfishtë, të cilët përkatësisht përpos shtetësisë së Kosovës, kanë edhe shtetësinë e Republikës së Serbisë, gjë që lejohet nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi në Kosovë.

 

Sipas informacioneve të bëra publike, Ministria e ka bazuar këtë vendim në nenin 24  të Ligjit për shtetësinë (2014), i cili parasheh mundësinë e heqjes së shtetësisë për ata që shërbejnë në struktura të sigurisë të një shteti të huaj pa leje paraprake nga autoritetet e Kosovës.

Në këtë drejtim, shprehim shqetësimin tonë të thellë në lidhje me mënyrën e aplikimit të kësaj dispozite:

  • Asnjë nga personat e prekur nuk është privuar formalisht nga shtetësia e Kosovës para deportimit. Pavarësisht se janë qytetarë të Kosovës, deportimi i tyre pa vendim gjyqësor përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe të konventave ndërkombëtare që garantojnë të drejtën për proces të rregullt gjyqësor (neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut), si dhe ndalojnë dëbimin e shtetasve të vet (neni 3 i Protokollit nr. 4 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut).
  • Përveç privimit të kundërligjshëm nga shtetësia, këtyre personave u është ndaluar hyrja në territorin e Kosovës për një periudhë të gjatë kohore, pa procedurë gjyqësore dhe pa vendim gjyqësor të formës së prerë, duke shkelur kështu të drejtën e tyre për liri të lëvizjes, të mbrojtur me nenin 2 të Protokollit nr. 4 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
  • Procedurat u zhvilluan pa mundësinë e mjetit juridik efektiv me efekt pezullues, ndesh me të drejtat e garantuara nga nenet 6 dhe 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
  • Ligji u aplikua menjëherë pas një incidenti të natyrës politike dhe të sigurisë, gjë që përforcon përshtypjen e krijuar për zbatim selektiv dhe të motivuar politikisht të ligjit, pa vlerësim individual të secilit rast.
  • Deportimi ka pasoja serioze për familjet dhe komunitetin e këtyre individëve, duke cenuar edhe të drejtën për jetë familjare dhe private, të garantuar me nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Bashkëlidhur me këtë letër, ju paraqesim një memorandum ligjor që përmban fragmente nga konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilat janë pjesë e rendit juridik të brendshëm të Kosovës, si dhe nga Kushtetuta e Kosovës.

 

Kërkesat tona janë si më poshtë:

  1. Fillimi i një hetimi dhe vlerësimi të pavarur për ligjshmërinë e deportimeve të realizuara;
  2. Shqyrtimi i shkeljeve të mundshme të të drejtave të njeriut të qytetarëve të prekur;
  3. Dhënia e rekomandimeve institucioneve kompetente për ndërprerjen e kësaj praktike dhe parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.

Ne besojmë se institucionet dhe organizatat të cilave po u drejtohemi kanë rol kyç në mbrojtjen e sundimit të ligjit dhe të të drejtave të njeriut në Kosovë, veçanërisht në kontekstin e politizimit dhe heqjes së të drejtave të garantuara kushtetuese të komuniteteve jo-shumicë.

 

Me respekt,

 

  1. Žensko Pravo (Të drejtat e grave)
  2. OJQ AKTIV
  3. Centar za Afirmativne društvene studije – CASA (Qendra për Studime Afirmative Shoqërore – CASA)
  4. Nova društvena incijativa – NSI (Iniciativa e Re Shoqërore – NSI)
  5. Institut za teritorijalni ekonomski razvoj – InTER (Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial – InTER)
  6. Centar za zastupanje demokratske kulture – ACDC (Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike – ACDC)
  7. Centar za mir i toleranciju – CPT (Qendra për Paqe dhe Tolerancë – CPT)
  8. Avenija (Avenyja)
  9. Komunikacija za razvoj društva – CSD (Komunikimi për Zhvillimin e Shoqërisë – CSD)
  10. Centar za socijalne incijative – CSI (Qendra për Iniciativa Sociale – CSI)
  11. Gračanica Online (Graçanica Online)
  12. Ekolosko-medicinska grupa – EMEG (Grupi Ekologjik-Mjekësor – EMEG)
  13. HERC
  14. Forum za razvoj i multietničku saradnju – FDMC (Forumi për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik – FDMC)
  15. Qendra Humanitare Mitrovica (Qendra Humane Mitrovicë)
  16. Centar za razvoj lokalnih sredina Mitrovica – CRLS (Qendra për Zhvillimin e Komuniteteve Lokale Mitrovicë – CRLS)