21.12.2023. » 09:13


OP - ED Delikuenca e të miturve – njohja me karakteristikat themelore



Kriminalitetin e të miturve e hasim që nga kohërat më të vjetra të shoqërisë njerëzore.

Kriminaliteti i të miturve është dukuri aktuale edhe nga fakti se në masën e kriminalitetit përbën një përqindje diku midis 10-30% me tendenca në rritje. Në vëllimin dhe strukturën e kriminalitetit të përgjithshëm në Kosovë delikuenca e të miturve ka një peshë specifike si për nga format e shfaqjes dhe llojllojshmëria e veprave të kryera, ashtu edhe për nga pasojat e dëmshme njerëzore, sociale, ekonomike, psikologjike e të tjera për shëndetin, mirëqenien dhe pasurinë e individit, të familjeve dhe të shoqërisë në përgjithësi.

op-ed-delikuenca-e-te-miturve-njohja-me-karakteristikat-themelore

Kriminalitetin e të miturve e hasim që nga kohërat më të vjetra të shoqërisë njerëzore.

Kriminaliteti i të miturve është dukuri aktuale edhe nga fakti se në masën e kriminalitetit përbën një përqindje diku midis 10-30% me tendenca në rritje. Në vëllimin dhe strukturën e kriminalitetit të përgjithshëm në Kosovë delikuenca e të miturve ka një peshë specifike si për nga format e shfaqjes dhe llojllojshmëria e veprave të kryera, ashtu edhe për nga pasojat e dëmshme njerëzore, sociale, ekonomike, psikologjike e të tjera për shëndetin, mirëqenien dhe pasurinë e individit, të familjeve dhe të shoqërisë në përgjithësi.

Ky shkrim, ka për qëllim që të njihen përmasat, struktura dhe dinamika e kësaj dukurie të analizohet në mënyrë të gjithanshme edhe ndikimi i faktorëve të përgjithshëm sidomos i varfërisë, papunësisë, faktorëve  të  posaçëm (ndarja e prindërve, fëmijët jetim, qëndrimi negativ i prindërve ndaj të miturve delinkuentë, lënia e fëmijës pas dore, pozita ende specifike e nënës në  edukimin e fëmijës etj.) në shfaqjen e delikuencës; duhet të vlerësohet puna dhe funksionimi i institucioneve dhe i organizmave tjerë përkatës që drejtpërdrejt mund të ndikojnë të delikuentët, duke filluar nga familja, shkolla, qendrat për punë sociale, policia, gjyqet, organizatat  joqeveritare etj., që luajnë një rol të rëndësishëm frenues e kufizues apo nxitës dhe kontribuues në manifestimin e fenomenit të delikuencës së të miturve e veçanërisht ndikimi i masmediave, filmit, internetit etj., të ndërmerren veprime të organizuara e sistematike për parandalimin dhe reduktimin e delikuencës së të miturve, si dhe masa adekuate përmirësuese apo represive ndaj delinkuentëve, në mënyrë që të pengohet rekrutimi i delinkuentëve të rinj dhe recidivizmi. Procedura penale për të mitur shqyrtohet nga këndvështrime të ndryshme sociale, ekonomike, psikologjike, pedagogjike, juridiko-penale etj.

 

Kriminaliteti i të miturve është pjesë integrale e kriminalitetit të përgjithshëm, mirëpo për shkak të moshës së të miturve si dhe shumë karakteristikave sociologjike, psikologjike, kriminalo-politiko, juridike etj.,  në  të drejtat penale të shteteve aktuale pa marrë parasysh diverzitetin e tyre, kryerësit e mitur të veprave penale kanë trajtim tjetër, trajtim më të butë më të favorshëm në krahasim me kryerësit madhor të veprave penale. Ky trajtim më i favorshëm është i pranishëm në fushën e legjislacionit penal material, procedural dhe penitenciar. Andaj, duhet të kemi objekt studimi hulumtimi teorik dhe praktik për thellimin e njohurive rreth faktorëve të përgjithshëm  dhe posaçëm që ndikojnë në procedurën penale, trajtimi i personalitetit të miturve në procedurë penale si dhe riedukimi i të miturit.

Disa nga metodat për hulumtimin e kësaj dukurie janë:

  1. Materializmi historik - kjo metodë tregon se kriminaliteti i të miturve nuk është lindur rastësisht, por që në lindjen e tij kanë ndikuar kushtet ekonomiko-shoqërore të regjionit të caktuar, rrethanat shoqërore politike si dhe rrethanat kulturore-historike.
     
  2. Metoda individuale (metoda klinike) - me ketë lloj studimi studiohet personaliteti i të miturit së paku  nga këndi sociologjik, psikologjik dhe psikiatrik, kurse qëllimi i këtyre studimeve marrja  e të dhënave  mbi karakteristikat themelore të personalitetit të delinkuentit të mitur, motivet dhe impulset për kryerjen e veprës kriminale, të analizoj karakteristikat e mjedisit  social në të cilin kryerësi i veprës ka jetuar.

Janë të njohura edhe studimet me anë të aplikimit të ashtuquajturës metodë klinike e cila analizat kryen në disa faza; analiza mjekësore, psikologjike dhe sociale, përcaktimi i diagnozës, dhënia e prognozës dhe dhënia e propozimit për trajtimin penologjie.

Sistemi i drejtësisë - për të mitur

Ky sistem synon mirëqenien e të miturit dhe siguron që çdo reagim ndaj kryerësve të mitur të jetë gjithmonë në proporcion me rrethanat e kryerësit dhe veprës penale. Kryerësve të mitur u shqiptohen masat e diverzitetit dhe masat edukative sipas nevojës. Fëmijës që merr pjesë në procedurën penale i lejohet të shprehet lirshëm. Çdo i mitur i privuar nga liria trajtohet me humanizëm për hir të dinjitetit të tij njerëzor dhe me atë rast merren parasysh nevojat personale të moshës së tij. Në veçanti çdo i mitur i privuar nga liria ndahet nga madhorët përpos nëse konsiderohet se është në interes që i miturit të mos ndahet, dhe të gëzojnë të drejtën e mbajtjes së kontakteve me familjen e tij përmes korrespodencave dhe vizitave, përveç rrethanave të përcaktuara me ligj.

Çdo i mitur i privuar nga liria ka të drejtë në ndihmë të menjëhershme ligjore dhe ndihmë tjetër adekuate si dhe për të kundërshtuar ligjshmërinë e privimit të tij nga liria pranë një gjykate të pavarur dhe të paanshme dhe në procedurë të menjëhershme.

Koncepti i trajtimit të delikuenteve të mitur është në pajtim me trendët bashkëkohore të së drejtës penale dhe kriminologjisë. Në bazë të kodit të drejtësisë për të mitur përcaktohen shprehjet dhe emërimet për të definuar të miturin p.sh.: fëmijë personin i cili nuk ka mbushur (18), i mitur personi ndërmjet (14) dhe (18), i mitur i ri personi ndërmjet (14) dhe (16), i mitur i vjetër (16) dhe (18) vjet, madhor i ri prej (18) deri (21) vjet, i ri fëmijë apo madhor i ri, madhor personi i cili ka mbushur (18) vjet. Edukimi i specializuar  program edukativ i përpiluar sipas nevojave speciale të kryerësit të veprës penale, i cili synon të ndihmojë zhvillimin e gjithmbarshëm dhe të zvogëlojë mundësinë e recidivizmit. Burgim për të mitur, dënim për të miturin i shqiptuar në bazë të kreut katër të këtij kodi. Sipas Kodit të drejtësisë për të mitur, neni 29, paragrafi 1. qëllimi i burgimit, për të mitur është që të kontribuohet në rehabilitimin dhe në zhvillimin e kryerësit të mitur, veçanërisht në edukimin e të miturit, edukimin e specializuar, aftësitë profesionale dhe në zhvillimin e duhur personal. Përveç kësaj, burgimi për të mitur duhet të ndikojë pozitivisht në të miturin përmes mbrojtjes, ndihmës dhe mbikëqyrjes për ta parandaluar recidivizmin.

 

Në korrnizën e ligjeve të cilat duhej të përgatiteshin, për shkak të urgjencës dhe domosdoshmërisë së luftimit më efikas të kriminalitetit dhe të studimit të ligjit, së pari administrata e UNMIK-ut filloi punën në përgatitjen e kodit penal dhe të kodit të procedurës penale. Në frymën e konceptit bashkëkohorë të shtet-ndërtimit sa më konsekuent të së drejtës penale për të mitur gjatë punës në përgatitjen kodit penal, u morr qëndrim që çështja e trajtimit penalo-juridik të kryerësve të mitur të veprave penale, që të ndahet nga kodi penal dhe të rregullohet me ligj të veçant. Gjatë vitit 2000 dhe 2001 një grup punues, nga radhët e ekspertëve të UNICEF-it dhe OSBE-së, Këshilli i Evropës, UNICEF-i, Shoqata e Juristëve amerikan (ABA/CEL) dhe Instituti i Gjyqësisë së Kosovës draftuan Ligjin penal për të mitur në Kosovë, që u aprovua më 20 Prill 2004 dhe në të njëjtën ditë hyri në fuqi. Kësisoj për herë të parë në historinë e Kosovës, ngjashëm me shtetet e tjera të Evropës perëndimore çështja e trajtimit penalo-juridik të kryerësve të mitur të veprave penale u rregullua me ligj të veçant. Vëllimi, struktura dhe koncepti i Kodit penal për të mitur i ka gjithsej 162 nene dhe është sistemuar në pesë pjesë dhe në XXI kapituj.

 

 

Autore: Hanife Rushiti, MA në Juridik – shkenca penale.