27.11.2023. » 12:55


OP - ED Të drejtat e njeriut në epokën e dixhitalizimit



Ne jetojmë në një epokë ku dixhitalizimi po evoluon vazhdimisht, duke formësuar jetën tonë të përditshme dhe mënyrën se si ne komunikojmë, punojmë dhe ndajmë informatat.

op-ed-te-drejtat-e-njeriut-ne-epoken-e-dixhitalizimit

Ne jetojmë në një epokë ku dixhitalizimi po evoluon vazhdimisht, duke formësuar jetën tonë të përditshme dhe mënyrën se si ne komunikojmë, punojmë dhe ndajmë informatat.

Ndërsa teknologjia premton risi, lidhje me miqtë dhe një jetë më të rehatshme, ajo sjell me vete edhe pyetje serioze në lidhje me privatësinë e të dhënave dhe sigurinë e internetit.

Këto aspekte po bëhen elemente kyçe të të drejtave të njeriut në shoqërinë moderne.

Privatësia e të dhënave - A kanë rëndësi të dhënat e mia?

Ndoshta mendoni në kokën tuaj se "Unë nuk kam ndonjë informatë që mund të jetë e dobishme për dikë". Aty e keni gabim.

Facebook mbledh dhe monitoron rreth 52,000 pika të dhënash për çdo person që është i regjistruar në këtë rrjet. Kjo përfshin lloje të ndryshme të të dhënave në lidhje me sjelljen e përdoruesit, preferencat, ndërveprimet me njerëzit e tjerë (po, ndër të tjera, algoritmi gjurmon mesazhet, pëlqimet dhe komentet tuaja).

Sipas informatave të tyre, këto pika të dhënash përdoren për të personalizuar përvojën e përdoruesit, për reklamim të synuar, për të ofruar shërbime më të mira, etj.

Rreth 100 pika të dhënash janë të disponueshme publikisht për bizneset për t'i përdorur për të synuar përdoruesit në fushatat e tyre.

Ne kemi gjithashtu një shembull ku Google e di, edhe para vetë gruas se ajo është në një gjendje tjetër. Bazuar në sjelljen e saj në internet, produktet që blenë, fjalët kyçe që kërkon, etj.

Dhe si mund ta shfrytëzojë Google këtë informatë? Duke i treguar atij personi reklamat e synuara.

Ka edhe spekulime se Trump i fitoi zgjedhjet në 2016 duke përdorur rrjetet sociale në mënyrën e duhur dhe duke arritur kështu grupe të caktuara votuesish të cilëve u përcolli një mesazh ngushtësisht të synuar.

Nga shembulli i mësipërm mund të shihni se kompanitë përdorin (shesin) të dhënat tona për qëllime të ndryshme. Ndonjëherë thuhet me shkronja të imta se për çfarë do të përdoren të dhënat tona, dhe ndonjëherë jo. 

Transparenca në lidhje me mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave nga kompanitë duhet të jetë vendimtare, dhe përdoruesit duhet të kenë kontroll mbi mënyrën dhe në çfarë mase informata e tyre bëhet pjesë e ekosistemit dixhital.

Siguria në internet: Përdoruesit duhet të jenë të kujdesshëm dhe kompanitë duhet të jenë më të kujdesshme

Për deri sa përballemi me kërcënime të tilla si sulmet kibernetike, vjedhjet e identitetit dhe mashtrimet në internet, është e domosdoshme që secili prej nesh individualisht të kujdeset për sigurinë tonë në internet.

Kompanitë kanë një rol kyç në ofrimin e një mjedisi të sigurt për përdoruesit e tyre, por përdoruesit duhet gjithashtu të ndërmarrin hapa aktiv për të mbrojtur të dhënat e tyre personale.

Krijimi i ndërgjegjësimit për sigurinë në internet duhet të jetë një prioritet.

Njerëzit duhet të kuptojnë rëndësinë e përdorimit të fjalëkalimeve të forta, përditësimet e rregullta të softuerit, sigurinë e rrjetit me të cilin lidhen (rrjetet Wi-Fi që janë falas kanë më shumë gjasa të komprometohen dhe të dhënat e përdoruesve të lidhur të vidhen) dhe të jenë të kujdesshëm kur ndani informata të ndjeshme në internet.

Nga ana tjetër, kemi raste të ndryshme ku kanë rrjedhur bazat e të dhënave të kompanive të ndryshme dhe janë shitur llogari të përdoruesëve. Edhe baza e të dhënave e një kompanie vendase u shfaq në reklama në një forum.

Kompanitë duhet të investojnë në infrastrukturat e sigurisë që mbrojnë të dhënat e përdoruesve nga qasja dhe abuzimi i paautorizuar.

Literatura dixhitale - Çelësi për sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave private në internet

Lufta për privatësinë e të dhënave nuk mund të jetë efektive pa një fokus të fortë në shkrim-leximin dixhital / literaturë dixhitale.

Përdoruesit duhet të edukohen se si funksionon bota dixhitale, si të mbrohen nga kërcënimet dhe çfarë informatash na lejohet të publikojmë në rrjete.

Literatura apo shkrim-leximi dixhital është thelbësor për ruajtjen e të drejtave të njeriut në epokën e dixhitalizimit.

Literatura dixhitale përfshinë jo vetëm një kuptim bazë të teknologjisë, por edhe aftësinë për të menduar në mënyrë kritike për sfidat dixhitale. Kjo përfshinë njohjen e lajmeve të rreme, kuptimin e rreziqeve të ndërveprimeve në internet dhe aftësinë për të mbrojtur informatat personale.

Edukimi i shkrim-leximit dixhital duhet të jetë pjesë e arsimit formal, por gjithashtu i disponueshëm përmes formave të ndryshme të trajnimit për të gjitha moshat.

Gjobat e vendosura ndaj kompanive në vitet e fundit përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt trajtimit më të përgjegjshëm të të dhënave, por gjithashtu tregojnë për urgjencën e përafrimit të ligjit me përparimet e shpejta teknologjike.

Prandaj, është e domosdoshme që kompanitë dhe individët së bashku të kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin dhe zbatimin e normave që do të mbrojnë privatësinë dhe të drejtat e njeriut në hapësirën dixhitale.

Dixhitalizimi nuk duhet të jetë një burim kërcënimi për të drejtat e njeriut, por një mundësi për të ndërtuar një shoqëri dixhitale të qëndrueshme dhe etike.

 

Vladimir Vuçkoviq,
Drejtor i Operimeve në agjencinë dixhitale W3 Lab