26.02.2024. » 19:41
Kushtetuta e Kosovës përmban shumë dispozita në lidhje me mbrojtjen dhe promovimin e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut.
Kushtetuta e Kosovës përmban shumë dispozita në lidhje me mbrojtjen dhe promovimin e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut. Neni 3 i Kushtetutës deklaron se autoritetet publike në Kosovë sigurojnë barazinë e të gjithë individëve para ligjit dhe respektimin e plotë të “të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht”. Kësisoj, pa pasur nevojë të kalohet në ligje tjera rreth mbrojtjes dhe sigurimit të të drejtave të njeriut, ligji i lartpërmendur thotë mjaft, dhe do të duhej që të mjaftonte që secili individ në Kosovë të ndihej i lirë dhe i pacenueshëm.
Kushtetuta e Kosovës përmban edhe ligje tjera që theksojnë saktë se të drejtat e cdo individi mbrohen pa asnjë përjashtim, dhe pa diskriminim. P.sh. Neni 7 i Kushtetutës së Kosovës përcakton që rendi kushtetues i Kosovës bazohet, mes tjerash, në parimet e barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe mosdiskriminimit, dhe mishëron barazinë gjinore si vlerë themelore.
Kosova dhe Konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut
Edhe pse Kosova nuk mund të bëhet zyrtarisht palë në konventat dhe mekanizmat ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, neni 22 i Kushtetutës përcakton që tetë instrumente të të drejtave të njeriut të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KB) dhe rajonale zbatohen drejtpërdrejt në Kosovë, duke ofruar kështu burime plotësuese ligjore që mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e njeriut në Kosovë. Në një zhvillim të rëndësishëm për të drejtat e grave dhe vajzave, Kuvendi i Kosovës (KK) ndryshoi nenin 22 duke e shtuar Konventën e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit) në listën e instrumenteve të të drejtave të njeriut që zbatohen drejtpërdrejt në shtator 2020.
Sundimi i ligjit në Koovë
Në nëntor të vitit 2023 ,“World Justice Project” ka publikuar indeksin për sundimin e ligjit në nivel global në shtete të ndryshme. Kosova këtë vit ka rënë për një pozitë në renditje, megjithatë vlerësimi me 0.56 është i njëjtë sikur vitin e kaluar.
Në vitin 2022 Kosova ishte në pozitën e 57-të në Indeksin e Sundimit të Ligjit të hartuar nga “World Justice Project”. E në vitin 2023, Kosova ka rënë për një pozitë, megjithatë vlerësimi me pikë mbetet i njëjti. Në vitin 2022 Kosova ishte vendi i parë në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit, kurse këtë vit Kosova ndan vlerësim të barabartë me Malin e Zi.
Në këtë shkrim, mes shumë aspekteve që shpjegojnë të drejtat e njeriut, unë zgjedh të trajtoj një nga segmentet më të ndieshme në shoqëri, që është e drejta e barabartë dhe luftimi i diskriminimit të bazuar në gjini.
LIGJI NR. 05/L-020 PËR BARAZI GJINORE
Ky ligj është në përputhshmëri me Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj grave, Direktivën për krijimin e një kuadri të përgjithshëm për trajtimin e barabartë në punësim dhe profesion, Direktivën për zbatimin e parimit të mundësive të barabarta dhe trajtim të barabartë të grave dhe burrave në çështjet e punësimit dhe profesionit, Direktivën në zbatimin progresiv të parimit të trajtimit të barabartë të grave dhe burrave në çështjet e sigurimit shoqëror, Direktivën mbi zbatimin e parimit të trajtimit të barabartë midis grave dhe vajzave të angazhuar në një aktivitet në një kapacitet të vetë-punësuar.
Neni 5 I këtij ligji i shpjegon qartazi masat që institucionet duhet të ndërmarrin për të shmangur cdo formë të diskriminimit gjinor. Specifikisht, tri nga paragrafet e cituara më poshtë, janë ndër më të rëndësishmet për spektin që kam zgjedhur të trajtoj në këtë shkrim:
1.3 përfshirjen e integrimit gjinor në të gjitha politikat, dokumentet dhe legjislacion
1.4. sigurimin e proceseve të përzgjedhjes, punësimit dhe caktimit në punë, duke përfshirë edhe pozicione drejtuese, në përputhje me kërkesën për përfaqësim të barabartë të femrave dhe meshkujve;
1.5. përfshirjen e buxhetimit gjinor në të gjitha fushat, si një instrument i nevojshëm për të garantuar që parimi i barazisë gjinore të respektohet në mbledhjen, shpërndarjen dhe caktimin e burimeve;
Situata në institucionet lokale
Nga praktika dhe përditshmëria e punës time në mënyrë të vecantë me institucionet lokale në Komunën e Skenderajt, ajo që mund të vësh re në mënyrë direkte ka të bëjë me diskriminimin e grave në përfshirjen e tyre në politikë. Kjo sepse pavarësisht që ligji për barazinë gjinore garanton të drejta të barabarta, akoma shumica e partive politike në listat e tyre zgjedhore i përmbahen vetëm ligjit për zgjedhjet, dhe fusin në listat e tyre 30% gra, duke mos vendosur madje në asnjë rast një grua si bartëse të listës e as si kandidate për kryetare të Komunës. cPavarësisht këtij lloj diskriminimi, gratë në Komunën e Skenderajt kanë dëshmuar se janë po njësoj të zonjat, dhe numri më i madh i atyre që kanë siguruar ulëset në Kuvendin Komunal, i kanë fituar ato pa pasur nevojë për kuotë, duke dalë më të votuara se shumë prej burrave në listat zgjedhore.
Poashtu, është mandati i dytë, që në Kuvendin Komunal të Skenderajt udhëheq një grua, dhe në të dyja rastet, Kuvendi është udhëhequr me kompetencë dhe zotësi.
Diskrimimini gjinor mund të vërehet edhe në ekzekutiv, ku nga 11 drejtori komunale vetëm 3 prej tyre udhëhiqen nga gratë, gjë që e ulë akoma më shumë përqindjen sesa ajo në legjislativ, e madje edhe disa nga departamentet kryesore që në të kaluarën janë udhëhequr nga gratë (zyra e prokurimit dhe auditorit të përgjithshëm), tashmë janë nën udhëheqjen e burravem një regres ky në aspektin e promovimit të barazisë gjinore në Komunën tonë.
Bashkëpunimi me institucionet
Pavarësisht faktit se situata e pasqyruar më lartë nuk është e favorshme dhe vazhdon të na paraqesë si shoqëri maskiliste, një fakt i rëndësishëm që duket optimist ka të bëjë me bashkëpunimin e institucioneve lokale me shoqërinë civile dhe qytetarët.
Kjo pasi gjatë punës time si aktiviste, në shumë raste rekomandimet për ndryshim më janë marrë parasysh dhe kjo është pasqyruar në mënyrë të vecantë në ndarjen e granteve nga Komuna e Skenderajt, ku Drejtori të caktuara i kanë trajtuar baraz ose në raste të caktuara edhe me prioritet, gratë që kanë aplikuar për mbështetje të cfarëdo lloji. Kjo në një formë i ka dhënë një shtysë fuqizimit ekonomik të grave, dhe shumë prej tyre kanë arritur të krijojnë pavarësi financiare pikërisht nga kjo mbështetje.
Ndryshimet e lartëcekura, japin një shpresë se gratë kanë filluar të konsiderohen të barabarta në shoqëri, megjithatë, konsideroj se akoma jemi shumë larg, dhe duhet shumë punë në këtë drejtim, për të arritur barazinë, që duhet të synojmë si shoqëri.
Lajmet e fundit