01.06.2022. » 09:25
Ka krime më të rënda se djegia e librave. Një nga ato është mos leximi i tyre.
(Ray Bradbury)
"Ka krime më të rënda se djegia e librave. Një nga ato është mos leximi i tyre."
(Ray Bradbury)
Promovimi i leximit përfshinë çdo mjet me të cilin inkurajohen njerëzit të lexojnë ose të zgjerojnë horizontet e tyre të leximit. Pra, të inkurajosh në mënyrë aktive ose të japësh këshilla për leximin, ose thjesht ta bësh më të lehtë zgjedhjen e librave për lexim. Promovimi i leximit përfshinë aktivitete që synojnë krijimin e kushteve të favorshme për lexim, stimulin për të lexuar dhe gëzimin e leximit. Siç u tha edhe në thënjen më lart, është mëkat më i rënd të bëhesh injorant nga mundesa e leximit, sesa djegia e tyre. Andaj, i takon secilit njeri të jap nga vetja për të promovuar të lexuarit.
Shtetet e zhvilluara vazhdojnë të ballafaqohen me sfida të shumta në fushën e edukimit për shkak të rrethanave të krijuara në shoqëritë postmoderne. Zhvillimi i teknologjisë informative dhe platformave të shumta elektronike me informacione të bollshme ka sfiduar thelbësisht metodat tradicionale të edukimit duke shënuar një rënie të ndjeshme të abstrahimit të njohurive nga leximi i librave. Për dallim nga shoqëritë e zhvilluara, ato në zhvillim, e sidomos vendet në tranzicion si në rastin e Kosovës, kanë humbur hapin në procesin e përshtatjes me rrethanat e reja. Për më tepër, ekziston një diskrepancë evidente në mes të qëllimit të kurrikulave, kushteve ekzistente dhe praktikave të krijuara të cilat po rezultojnë në një “analfabetizëm modern”. Në Kosovë që nga viti 1999 e deri më sot është tentuar të bëhet reformimi i sistemit arsimor duke ju referuar standardeve më të larta ndërkombëtare – e përfundimisht nuk është arritur që të rinjtë të motivohen për të lexuar dhe për të frekuentuar biblotekat. Promovimi i leximit mungon edhe në këtë pjesë pasi sipas disa publikimeve mediale, vendet ku libri botohet më së paku në rajon, janë: Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova. Disa të dhëna nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës tregojnë se brenda një viti botohen rreth 652 tituj të librave – për një milion banorë.
Edhe në Kosovë tashmë kemi librari dhe bibloteka të cilat sigurojnë tituj të ndryshëm dhe nga fusha të ndryshme. Ajo që shihet më problematike është niveli i ulët dhe brengosës i kulturës së leximit. Të rinjtë tanë lexojnë thuajse vetëm kur janë të obliguar për të lexuar për të kaluar ndonjë test ose provim, e rrallë herë për kënaqësinë që ofron leximi. Ndërsa, leximi dhe motivimi i të rinjve për të lexuar është faktor i rëndësishëm në ngritjen e performancës së tyre në mësimnxënie dhe në aftësimin e tyre profesional. Ajo që unë e konsideroj edhe më dëshpëruese është fakti se personat që lexojnë vazhdimisht, që kanë kulturë dhe shprehi të leximit, shpesh janë pre e bullizimeve të shumta nga shoqëria. Për fat të keq, të rinjtë pothuajse fare nuk e kuptojnë thelbin e të lexuarit, rëndësinë dhe dobinë që mund të kenë nga të lexuarit.
I tërë ky qëndrim i formuar gabim ndaj librit dhe të lexuarit fillon që në fëmijëri të hershme, në familje, vazhdon në rrethin shoqëror dhe merr formën përfundimtare në shkollë. Në raste të rralla që të tri ambientet (familja, rrethi ku jetohet dhe shkolla) janë kompatibile dhe në favor të motivimit për të lexuar, studiuar dhe mësuar. Megjithatë, është vërejtur se familja duhet mbjellë dëshirën për lexim duke e shndërruar atë në aktivitet të këndshëm dhe domosdoshmëri jetësore. Nga ana tjetër, shkolla imponon leximin si obligim për të rinjtë dhe nga ky obligim, në mënyrë graduale, krijohet shprehia e leximit. Në rastin e shoqërisë sonë kjo lë shumë për të dëshiruar! Edhe testi PISA ka vërtetuar që niveli i lexim-kuptimin tek pesëmbëdhjetë vjeçarët kosovar është më keq se mesatarja e vendeve të tjera. Sipas OECD kosovarët kanë arritur mesatarisht 353 pikë në lexim-kuptim, ndërsa mesatarja e vendeve të tjera është 487 pikë. Vlen të theksohet se shkrim-leximi është njohur si e drejtë e njeriut për më shumë se 50 vjet në disa deklarata dhe nisma ndërkombëtare përfshirë edhe UNESCO-n i cili që nga krijimi i saj ka promovuar shkrim-leximin si të drejtë.
Është ende shumë aktuale që “rraftet me libra në gjuhën shqipe” janë të varfëra. Kjo ndoshta ka qenë një arsye për gjendjen në të cilën ndodhemi. Mirëpo, me zhvillimet shoqërore që kanë ndodhur, edhe leximi në gjuhën angleze për një pjesë të konsiderueshme të popullit tonë nuk është më problem. Kjo madje ka edhe efekte pozitive për individët e tillë sepse vetëm sa e përforëcon kompetencën e gjuhës dhe komunikimit. Edhe teknologjia ka shtuar mundësitë për qasjen në libra të ndryshëm e madej edhe përkthimin e tyre me aplikacione të ndryshme. Ky digjitalizim në shumë raste na bënë të mendojmë e madje të dyshojmë që përbënë kërcënim librave në “kopje fizike”. Për fat të mirë ende ka pjesëtarë të shoqërisë që e mbajnë me fanatizëm dashurinë për librin dhe erën e librit.
Deri më tani prezantova promovimin në përgjithësi dhe gjendjen në Kosovë sa i përket leximit, ndërsa tani do të parqes disa forma të cilat ndihmojnë promovimin e leximit:
Biblotekat duhet të kenë një plan mbi promovimin e leximit dhe motivimit të të rinjëve pë të lexuar. Të organizojnë panaire të librit, të shpërblejnë lexuesit e rregullt, të shkojnë në shkolla për vizita, për promovim dhe të bashkëpunojnë me stafin që të gjejnë metodologji të ndryshme efektive për të “mbjellur” të lexuarit për kënaqësi. Pastaj duhet të paisen me titujt më të rinj, me bestseller të kohës. Të ofrojnë një mjedis të përshtatshëm dhe konfort për lexuesit etj.
Në qytete të ketë kënde të leximit në të cilat të ketë mundësi të marrësh librin me vete por pse jo edhe të marrësh libra ngë këndi. Këto kënde leximi duhet të kenë punonjësit që kujdesen dhe japin librat. Librat që huazohen nga këndet të huazohen vetëm për kohën që qëndron individi në kënd dhe jo të merren me vete në ambiente të tjera, për shkaqe sigurie.
Nga shkollat duhet të organizohen klubet e leximit për të kultivuar një komunitet lexuesish që nxit lidhjen përmes leximit dhe diskutimit të përbashkët.
Këto janë vetëm disa nga mënyra e promovimit të leximit, por dëshira dhe motivi për të lexuar duhet të mbjellen në “mentalitetin” e shoqërisë sonë. Ato duhet të ushqehen që nga lindja në gjirin familjar dhe të vazhdojnë deri në fund të jetës sonë.
Lajmet e fundit