25.02.2025. » 10:07
Gjatë tetorit dhe nëntorit 2024, të rinjtë nga komunitete të ndryshme në mbarë Kosovën patën mundësinë të marrin pjesë në një seri unike kampesh rinore, ku përmes punëtorive interaktive, udhëtimeve dhe shoqërimit zhvilluan aftësitë e tyre gjuhësore, mësuan për diversitetin kulturor dhe krijuan miqësi të reja. Përmes katër kampeve dinamike – nga Peja dhe Graçanica, përmes Prizrenit të pasur me kulturë, deri te mbledhja përfundimtare në Prevallë – pjesëmarrësit patën mundësinë të përmirësojnë aftësitë e tyre komunikuese, të eksplorojnë trashëgiminë kulturore të Kosovës dhe të forcojnë ndjenjën e bashkësisë.
Pjesëmarrësve të serisë sonë të kampeve u kërkuam të ndajnë përshtypjet e tyre për trajnimet. Dino Redžepi, një nga pjesëmarrësit nga Prizreni, shkroi një OP-ED ku u ndal në të gjitha aspektet e kampeve, me një vëmendje të veçantë ndaj miqësive të reja të krijuara.
Ne morëm pjesë në katër kampe, secili prej tyre duke zgjatur nga tre ditë. Edhe pse secili kamp kishte veçantitë e veta, një gjë ishte e përbashkët për të gjithë – kaluam momente të jashtëzakonshme dhe shijuam çdo çast. Ishte një përvojë që do ta kujtojmë gjatë, sepse përveç njohurive të reja dhe vizitave në vende të mrekullueshme, krijuam edhe miqësi që na pasuruan në shumë mënyra.
Që nga mbërritja në kampin e parë, ndihej një energji e veçantë. Ditët tona ishin të mbushura me të qeshura, shoqëri dhe aktivitete që na mahnisnin çdo ditë e më shumë. Punëtoritë për përmirësimin e gjuhës shqipe ishin kreative dhe interesante – mësuam përmes lojërave, detyrave në grup dhe bisedave të rastësishme, gjë që e bënte të gjithë përvojën më relaksuese dhe argëtuese. Mësuam shumë fjalë dhe shprehje të reja, dhe shpesh sfidonim njëri-tjetrin të flisnim vetëm shqip, gjë që zakonisht përfundonte me të qeshura dhe histori gazmore.
Koha e lirë ishte veçanërisht magjike. Mblidheshim rreth tavolinës së bilardos, organizonim turne të shahut ose luanim së bashku lojën “Mos u Nxeh, Njeri!”. Edhe pse këto lojëra ishin vetëm argëtim, ato na sollën momente të mbushura me humor dhe shaka, si dhe një garë të shëndetshme. Shpesh bënim shaka duke thënë se këto çaste ishin po aq të rëndësishme sa edhe ekskursionet, sepse na afruan dhe na bënë të ndihemi si një familje e vërtetë.
Megjithatë, përshtypjen më të madhe e lanë vizitat në vendet e mrekullueshme. Patrikana e Pejës na mahniti me paqen e saj shpirtërore dhe historinë e pasur. Xhamia e Sinan Pashës na la pa fjalë me arkitekturën e saj të veçantë, ndërsa në Graçanicë ndjemë madhështinë e artit mesjetar dhe rëndësinë historike të këtij vendi. Çdo vizitë ishte një mundësi për të mësuar diçka të re dhe për të admiruar bukurinë dhe diversitetin e kulturës sonë.
Në mbrëmje, pasi përfundonim aktivitetet e ditës, mblidheshim në sallë ose në hapësirën e përbashkët. Atëherë ishte momenti për bisedat spontane, historitë për përjetimet tona të përditshme, planet për të ardhmen dhe shakatë që na bënin të qeshnim deri në lot. Shpesh rrinim zgjuar deri vonë, duke mos dashur që dita të mbaronte.
Ndërsa kampet zgjatnin, dukej sikur koha kalonte shumë shpejt. Kur erdhi dita e fundit, të gjithëve na erdhi keq që po përfundonte gjithçka, por u ngushëlluam me premtimin se do të takoheshim përsëri. Tashmë mezi pres kampet e ardhshme, sepse e di që do të sjellin sërish momente të paharrueshme, miqësi të reja dhe edhe më shumë aventura.
Lajmet e fundit