29.01.2025. » 20:59
Rajoni i Mitrovicës, një zonë me potencial të jashtëzakonshëm natyror, vitet e fundit është përballur me disa nga sfidat më të mëdha ekologjike. Degradimi i tokës dhe ndotja e ujërave janë ndër problemet kryesore që prekin jetën e përditshme të banorëve të rajonit. Megjithëse zhvillimi industrial ka sjellë përfitime ekonomike, po ashtu ka pasur edhe pasoja të rënda ekologjike që duhen adresuar urgjentisht për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme.
Degradimi i tokës: Keqpërdorimi dhe degradimi
Një nga sfidat kryesore në këtë rajon është degradimi i tokës. Gjatë viteve, aktivitetet industriale si minierat dhe nxjerrja e burimeve natyrore kanë çuar në varfërimin e burimeve të tokës dhe shkatërrimin e ekosistemeve natyrore. Përdorimi jo i duhur ose i pakujdesshëm i tokës dhe pasiviteti i politikave mbrojtëse kanë bërë që sipërfaqe të mëdha toke të kthehen në "toka të shkatërruara". Kjo sepse njerëzit e kanë ndotur tokën në atë masë sa është kthyer në tokë të padobishme. Ndotja ka ardhur nga përdorimi i pakontrolluar i pesticideve dhe gjithashtu kalimi i ujërave që dalin nga kanalizimet e shtëpive, banesave dhe fabrikave në ato toka.
Ky proces është përshpejtuar nga metoda intensive bujqësore që përdorin gjerësisht pesticidet dhe plehrat kimike, duke ndikuar negativisht në biodiversitetin dhe duke ndikuar negativisht në pjellorinë e tokës. Kjo ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta në bujqësi, një sektor kyç për shumë familje në rajon. Tokat e degraduara kanë humbur aftësinë për të ruajtur strukturën e nevojshme për prodhimin bujqësor, duke çuar në uljen e rendimenteve dhe rritjen e varfërisë rurale. Mund të themi se është ndikuar si rendimenti ashtu edhe cilësia e kulturës së grurit, pasi kushtet atmosferike, ndotja e tokës nga përmbytjet dhe ndotja e ujërave të zeza kanë çuar në uljen e produktivitetit.
Ndotja e ujit: Burimi i jetës në rrezik
Një tjetër çështje ekologjike që prek seriozisht rajonin e Mitrovicës është ndotja e ujit. Lumenjtë dhe burimet ujore të rajonit, të cilat janë thelbësore për bujqësinë dhe konsumatorët, janë kontaminuar me kimikate, metale të rënda dhe mbetje të ndryshme industriale.[1]Përpjekjet për të kontrolluar një ndotje të tillë, kanë qenë të pamjaftueshme për të menaxhuar sasinë e mbetjeve, duke kontribuar në përhapjen e substancave të dëmshme në ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), uji i kontaminuar, së bashku me kanalizimet dhe higjenën e pamjaftueshme, kontribuojnë në afërsisht 1.4 milionë vdekje dhe 74 milionë vite jete të rregulluara me aftësi të kufizuara (DALYs) çdo vit. Kjo përfaqëson rreth 2.5% të vdekjeve globale dhe 2.9% të DALY-ve globale. Sëmundjet diarreike janë veçanërisht të prekura, me mbi 1 milion vdekje dhe 55 milion DALY të lidhura me ujin, kanalizimet dhe higjienën e pasigurt[2][3].Kjo përfshin sëmundje si kolera, dizenteria dhe ethet tifoide. Ujërat e kontaminuara përbëjnë gjithashtu një kërcënim për jetën e shumë specieve të faunës ujore, të cilat janë të rëndësishme për ruajtjen e ekosistemit.
Edhe deponitë e mbyllura si TREPÇA paraqesin rreziqe të vazhdueshme që përfshijnë ndotjen e ujërave nëntokësore nga rrjedha e metaleve.[4]
Studime të ndryshme nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Universiteti i Vienës dhe Ministria e Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që janë realizuar në Komunën e Mitrovicës kanë treguar se të gjitha zonat në rajonin e Mitrovicës, duke përfshirë luginat e lumenjve Ibër dhe Sitnica nga Leposaviqi deri në Vushtrri, përfaqësojnë një zonë me një mjedis të ndotur nga plumbi dhe metale të rënda. Ndotja e tokës arrin deri në 35 cm thellësi në shtatë lokacione të analizuara. Përqendrimi i metaleve të rënda është disa herë më i lartë se vlerat e lejuara prej 450 (mg/kg).[5]
Roli i politikave mjedisore dhe përfshirja e komunitetit
Për të adresuar këto sfida ekologjike, nevojiten veprime të shpejta dhe vendimtare. Politikat e shëndosha mjedisore janë thelbësore për frenimin e degradimit të tokës dhe ndotjes së ujit. Ato politika duhet të përfshijnë ndalimin e aktiviteteve të dëmshme industriale pa masat e duhura mbrojtëse dhe promovimin e metodave të qëndrueshme.
Nëse nuk merren masa të menjëhershme për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të tokës dhe ndotjen e ujit në rajonin e Mitrovicës, pasojat do të jenë të pakthyeshme.
Gratë dhe të rinjtë mund të luajnë një rol veçanërisht të rëndësishëm në promovimin dhe zbatimin e politikave dhe praktikave që mbrojnë mjedisin dhe sigurojnë barazi. Ata mund të marrin pjesë aktive në përpjekjet lokale për të promovuar politika që sigurojnë një mjedis të pastër dhe burime të qëndrueshme. Adresimi i sfidave ekologjike kërkon jo vetëm politika të forta, por edhe përfshirje aktive të komunitetit, veçanërisht nga të rinjtë dhe gratë, të cilat kanë potencialin të iniciojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe të avokojnë për ndryshime të rëndësishme.
Duke njohur ashpërsinë e këtyre çështjeve, UNDP-ja në Kosovë, krahas partnerëve të saj të OJQ Education Code dhe OJQ ACDC nga Prishtina dhe Mitrovica e Veriut, respektivisht, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të trajtuar këto sfida në nivelin e komunitetit në katër komunat veriore, përkatësisht Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë në veri dhe Zveçan. Këto përpjekje përfshijnë avokimin për të drejtën për një mjedis të shëndetshëm, dhe ndër të tjera promovimin e praktikave të qëndrueshme bujqësore për të luftuar degradimin e tokës dhe rritjen e ndërgjegjësimit për ndotjen e ujit nga mbetjet industriale. Duke fuqizuar komunitetet lokale, duke përfshirë gratë dhe të rinjtë, këto iniciativa synojnë të ndërtojnë një të ardhme më të qëndrueshme dhe paqësore dhe të zbusin dëmin mjedisor në rajonin e Mitrovicës.
Ky artikull është publikuar në kuadër projektit të UNDP-së "Dialogu ndërkomunitet" i zbatuar me mbështetjen financiare të UNDP Funding Windows. Aktivitetet e Drejtësisë Mjedisore në veri u zhvilluan në partneritet me partnerët e OShC-ve Education Code dhe ACDC.
Gentiana Zeqiri
Aktiviste e Shoqërisë Civile
[1]https://smu.umib.net/DiplomaPublikimiPublic/DownloadDok?dok=Theses%5C6589ce0e-7d5c-4094-95dc-cf6632326fa5.pdf
[2]World health statistics 2024: monitoring health for the SDGs, sustainable development goals
[3]https://www.who.int/data/gho/data/themes/topics/water-sanitation-and-hygiene-burden-of-disease
[5]https://unhabitat-kosovo.org/wp-content/uploads/2019/07/Mitrovica-LEAP.pdf
Lajmet e fundit